Një person është vrarë me armë zjarri në Durrës para pak minutash,
Burime të Top Channel bëjnë me dije se Mond Çekiçi anëtar i bandës së Durrësit, është vrarë më armë zjarri prapa drejtorisë Arsimore në Durrës, brenda makinës së tij.
Mësohet se ekzekutorët e tij kanë qenë të veshur me veshje ushtarake, ndërsa policia njofton se në Sukth është gjetur duke u djegur një mjet tip “Benz”, me targa të vjedhura që dyshohet se është përdorur nga autorët.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 08:40 të mëngjesit, ndërkohë që policia ka ngritur pika kontrolli në të gjitha akset rrugore në hyrje e në dalje të Durrësit si dhe në drejtim të Tiranës e Kavajës.
Por Edmond Koçi ose siç njihet ndryshe “Mond Çekiçi”, nuk është një emër i panjohur.
Policia e Durrësit e ka konsideruar si person me rrezikshmëri, pasi jo vetëm që ishte pjesë përbërëse e një klani kriminal në Durrës, por ai rezulton të jetë dënuar disa herë për armëmbajtje pa leje dhe kundërshtim të forcave të policisë.
Në muajin Maj 2009 Edmond Koçi, është dënuar me 2 vite burgim për akuzën e “Mbajtjes pa lejë të armëve”.
“Mond Çekiçi”, shoqërohej me Lulzim Berishën “Lulin”, Emiljano Shullazi “Milin”, Plarent Dervishaj “Lentin”, Marjel Fierzën, Julian Meçajn, Bashkim Haxhiajn dhe persona të tjerë.