Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës kanë deklaruar se nuk do të votojnë dhe nuk do t’ia bëjnë kourumin pretendentes për presidente të Kosovës e cila garoi në zgjedhje në listën e Lëvizjes Vetëvendosje, Vjosa Osmanit.
Kjo do të thotë se në ditën e votimit për postin e presidentit në sallë do të jenë automatikisht 27 deputetë më pak.
Lidhja Demokratike e Kosovës ende nuk ka qëndrim të qartë lidhur me votën e tyre pro ose kundër Osmanit në ditën e zgjedhjes së presidentit, njëlloj siç nuk është i qartë as qëndrimi i Listës Serbe dhe i disa pakicave brenda Kuvendit të Kosovës.
Lëvizja Vetëvendosje së bashku me Osmanin në Kuvendin e Kosovës kanë 58 vota, ndërsa llogaritur edhe 2 vota të deklaruara nga Duda Balje dhe Erxhan Galushi nga komunitetet jo-shumicë në Kuvend, ata kanë aktualisht 60 vota dhe pritet të mos kenë probleme në themelimin e Kuvendit dhe zgjedhjen e kryeministrit të vendit.
Por, cilat janë procedurat Kushtetuese për zgjedhjen e presidentit? A i kanë mbetur Kurtit dhe Osmanit kompromise politike për ta bërë të mundur zgjedhjen e ish-kandidates së LDK-së për presidente dhe çfarë mund të ndodh në ditën e zgjedhjes së presidentes?
Ehat Miftaraj nga Instituti i Kosovës për Drejtësi për lajmin është shprehur se ditën e votimit të Presidentit duhet të jenë së paku dy kandidatë në garë.
Sipas Kushtetutës, Miftaraj thotë se deputetët janë të obliguar të qëndrojnë në sallë dhe të marrin aktivisht pjesë në votimin e njërit prej kandidatëve për president.
Ai shprehet se në raundin e parë dhe të dytë nevojiten së paku 80 vota pro, ndërsa në raundin e tretë mjaftojnë vetëm 61 vota për zgjidhjen e presidentit.
“Në bazë të Kushtetutës dhe vendimeve të Gjykatës Kushtetuese lidhur me procedurën e emërimit të Presidentit të Republikës, pas konstituimit të Kuvendit të Kosovës, në garën për President duhet të jenë së paku dy kandidatë. Gjithnjë sipas praktikës kushtetuese e obligueshme për tu ndjekur dhe zbatuar nga Kuvendi i Kosovës, secili deputet i Kuvendit e ka për obligim kushtetutues për të qendruar dhe marr pjesë aktive në procesin e votimit për njerin prej kandidatëve për President. Përderisa, në raundin e parë dhe të dytë nevojiten 80 vota PRO në kutinë e votimit, në rundin e tretë nevojiten vetëm 61 vota PRO për tu konsideruar se një kandidat është i suksesshëëm për tu emëruar President i Republikës së Kosovës.”, thotë Miftaraj.
Njëlloj sqaron edhe njohësi i Kushtetutës, Mazllum Baraliu i cili shprehet se në raundin e tretë presidenti zgjidhjet me shumicën e thjeshtë, por sipas tij, kourumi në Kuvend është njëra nga qindra defektet Kushtetuese.
“Duhet të jenë të pranishëm, duhet kourumi dhe kjo është defekt i kësaj Kushtetute ndër qindra defekte të tjera të kësaj kushtetute e cila është e ngushtë dhe plot barriera dhe Kushtetuta thotë që kourumi duhet të bëhet, duhet të jetë aty dhe të votojnë dhe së paku duhet të jenë 80 deputetë dhe që së paku në herën e parë ose të dytë nuk zgjidhet me shumicë votash, atëherë në raundin e tretë zgjidhet me shumicën e thjeshtë me 61 deputetë.”, thotë Baraliu.
Ai tutje thotë se Kushtetuta e obligon çdo parti opozitare të jetë në Kuvend dhe të bëjnë me çdo kusht pjesë në formimin e institucioneve.
“Gjykata Kushtetuese me një vendim të saj në një situatë të caktuar, ajo ashtu ka vendosur dhe tani ajo është normë ndajshtuese e Kushtetutës dhe të respektohet sot që në bazë të Kushtetutës e kanë për detyrë të jenë të pranishëm dhe janë përgjegjës për formimin e institucioneve dhe të jenë pro ose kundër, pra Kushtetuta e obligon çdo parti opozitare të bëjnë me çdo kusht formimin e institucioneve dhe duhet të jenë aty. Ajo që thuhet se mandati i deputetit është vetanak dhe i pavarur. Nuk do të duhej të ndikohej në mandatin e deputetëve. Subjektet politike pa marrë parasysh nuk kanë të drejtë të ndikojnë tek deputetët dhe është me rëndësi për deputetët që të mos e humbin mandatin dhe gjithashtu për qytetarët që ua kanë dhënë votën që të stabilizohet shteti lidhur me këtë.”, thotë Baraliu.
Sipas tij, do të ishte e rrugës që çështja e presidentit të zgjidhet së paku një muaj pa i kaluar mandati presidentit i cili është aktual dhe gjithashtu shprehet se kriteret për t’u bërë president janë tejet liberale.
“E para është rastësi kjo për shkaqe politike që kemi këso situata për shkak të stabilitetit politik, sepse çdo 1 vit ose 2 vite kemi zgjedhje, zgjedhjet për parlament duhet të mbahen çdo 4 vite, dhe presidenti zgjedhet çdo 5 vite. Kësaj radhe ka ndodhur të përputhen në kohë dhe është tashmë çështje, përndryshe nuk do të ishte. Procedurat për zgjedhjen e presidentit fillojnë pasi të konstituohet Kuvendi ku partia ose koalicioni më i madh, deputetët ose qytetarët mund të marrin iniciativë të japin propozimin për president, kriteret janë shumë liberale dhe do të duhej presidenti të zgjidhet një muaj përpara nga kalimi i mandatit të presidentit, do të thotë faktikisht do të duhej një muaj përpara do të thotë me 5 prill të kryhen procedurat sa i përket presidentit”, tha Baraliu.
Lidhur me votën për president është deklaruar sot edhe kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Ai ka thënë se do të takohet pas formimit të institucioneve me Osmanin për të marrë qëndrimin e saj karshi disa çështjeve.
Vota e LDK-së për Osmanin duket se do të varet nga qëndrimi i saj karshi LDK-së, LVV-së, partive opozitare dhe në veçanti karshi nismës së saj politike.
“Jemi dakorduar që pas formimit të institucioneve takohemi me pretendenten për kandidate për presidente dhe të kuptojmë më qartë pozicionin e saj si pretendente për presidente karshi LDK-së karshi LVV-së karshi partive opozitare dhe në veçanti karshi nismës së saj politike të paralajmëruar. Pra presim që javën e ardhshme pas formimit të institucioneve të bisedojmë e të presim ftesën nga pretendetja për presidente.”, ka deklaruar Abdixhiku.
Lëvizja Vetëvendosje ende nuk kanë deklaruar nëse kanë marrëveshje politike me të gjitha pakicat jo-serbe në Kuvendin e Kosovës përveç deklarimit publik nga deputetja e komunitetit boshnjak, Duda Balje dhe ai i deputetit romë, Erxhan Galushi se do të jenë pro qeverisë Kurti dhe Osmanit si presidente.
Gjatë ditës së djeshme, Partia Demokratike e Kosovës ka deklaruar se nuk do të qëndrojnë në sallë në seancën kur Osmani të votohet për presidente pasi sipas tyre, Osmani nuk e ka kërkuar votën e PDK-së për presidente dhe së këndejmi, qëndrimi në sallë është e njëjtë me votën pro saj.
As Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës që në zgjedhjet e 14 shkurtit garuan me kreun e partisë, Ramush Haradinaj si kandidat për president nuk do të kenë votë për Osmanin në seancën për zgjedhjen e presidentit.
Kështu, Lëvizja Vetëvendosje dhe Vjosa Osmani i kanë ende 93 vota në lojë, nga 80 sa është kufiri i fundit i numrit të deputetëve që duhet ta bëjnë kourumin në sallën e Kuvendit në ditën e votimit të presidentit.
Pra, zgjedhja e Osmanit presidente varet nga dy subjekte politike aktualisht. Në njërën anë është Lista Serbe dhe në anën tjetër është Lidhja Demokratike e Kosovës – të dy këto subjekte pa qëndrime përfundimtare lidhur me çështjen e presidentit.
Kreu i LDK-së Abdixhiku, ditë më parë ka deklaruar se: “LDK-ja nuk ka votë për president partiak”, derisa nënkryetari i tanishëm i kësaj partie, Lutfi Haziri ka deklaruar se LDK-ja duhet të ketë votë për Osmanin.
Nesër, Lidhja Demokratike e Kosovës do të mbajë mbledhjen e saj ku pritet të zgjidhjet kryesia e re dhe më pastaj, siç ka deklaruar edhe Abdixhiku, vendimi për votën ndaj Osmanit do të jetë subjekt i trajtimit brenda partisë ku edhe do të vendoset lidhur me veprimet e LDK-së.
Të hënën Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancën e parë themeluese të legjislaturës së VIII-të ku edhe pritet që të votohet kryeparlamentari i ri i Kosovës i cili njëkohësisht do të jetë edhe ushtrues detyre i presidentit të vendit.
Javët e ardhshme do të jenë sfiduese pasi në pamundësinë e zgjidhjes së presidentit, Kuvendi shpërbëhet dhe vendi mund të shkojë në zgjedhje të reja parlamentare të cilat kanë qenë të shpeshta viteve të fundit në Kosovë.