Federata Sindikale e Shëndetësisë së Kosovës ka njoftuar se të shtunën nis vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë kundër koronavirusit në Kukës.
FSSHK-ja ka bërë të ditur se në ditët në vijim do të vazhdohet vaksinimi edhe i 250 punëtorëve të tjerë shëndetësorë.
“Delegacioni i FSSHK-së i përbërë nga kryetari Blerim Syla dhe Islam Krasniqi, në prani të ambasadorit të Kosovës në Shqipëri, Nait Hasani, sot kanë zhvilluar takim me Ministrinë e Shëndetësisë të Republikës së Shqipërisë dhe janë dakorduar për çështjet teknike të vaksinimit të punëtorëve shëndetësorë të Kosovës, që do të fillojë nesër në Kukës”, thuhet ndër të tjera në njoftimin e FSSHK-së.
Vaksinimi i punëtorëve shëndetësorë të Kosovës ishte premtim i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, pas mbërritjes së mbi 38 mijë dozave të vaksinës AstraZeneca në aeroportin e Rinasit javën e kaluar.