Kryetari i posazgjedhur i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka folur për ish-bashkëpartiakën e tij, Vjosa Osmanin, e cila është kandidate e Lëvizjes Vetëvendosje për presidente, shkruan Gazeta Sinjali.
Abdixhiku tha se Osmani duhet të qartësojë pozicionin e saj karshi partive politike në përgjithësi dhe LDK-së në veçanti.
“Tani nuk jemi në fazën e kushteve, ajo që dua të bëj është që pala tjetër të qartësojë pozicionin karshi partive politike. Çdo pretendent për president duhet të qartësojë se çfarë pozicioni ka ndaj LDK-së, pozicion urryes, kundërshtues, apo neutral. Pala tjetër duhet të qartësojë këtë qasje. Duhet të qartësojë pozicionin e përfshirjes së presidentes së ardhshme me partinë e vet”, tha ai në syri.net.
I pari i LDK-së përsëriti se atë që Kushtetuta e Kosovës nuk e lejon që presidenti të ketë aktivitet partiak dhe nuk duhet të ketë.
Për bashkëpartiakët, Abdixhiku tha se ideologjikisht janë më të afërt me të se me kreun e LVV-së, Albin Kurti.
“Përsa i përket grupit në fjalë, që janë ish-kolegë tanë, ata ideologjikisht janë më të afërt me mua se me Albin Kurtin. Shtëpia e tyre origjinale është LDK dhe kauza kundër LDK-së nuk ekziston. Ata duhet të qartësojnë nëse do jenë pjesë e qeverisë apo e opozitës. Një grup parlamentar që gjysma është në opozitë dhe gjysma me qeverinë, nuk shkon“, tha ai.