Të martën është bërë rikualifikimi i veprës në rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj nga Deçani, nga “Vrasje e rëndë” në “Vrasje nga pakujdesia”. Lidhur me këtë, familja e viktimës ka dërguar një letër publike në adresë të kryeprokurorit të shtetit dhe ambasadorit të SHBA’së, Britanisë e Gjermanisë në Prishtinë.
Babai i viktimës, Isuf Tetaj, në letrën publike po e akuzon prokurorin e rastit, Agron Uka, se është duke manipuluar me rastin e vrasjes së të riut Agonis Tetaj.
Në letrën e tij publike të cilën ia ka dërguar kryeprokurorit të shtetit, Aleksandër Lumezi dhe ambasadorëve të vendeve të huaja në Kosovë, Isuf Tetaj ka bashkëngjitur edhe aktakuzën e Prokurorisë Themelore të Pejës ndaj të akuzuarit Shaban Gogaj.
Me këtë letër, ai po kërkon që të përjashtohet prokurori Agron Uka nga ky rast si dhe të vendoset gjykim meritor lidhur me vrasjen e djalit të tij.
Po ashtu, Isuf Tetaj në këtë letër ka bashkëngjitur edhe videon nga momenti i vrasjes së djalit të tij, në vendin e punës.
Video nga momenti i vrasjes së Agonis Tetajt:
Ndryshe, Shaban Gogaj akuzohet nga Prokuroria e Pejës për vrasjen e tani të ndjerit Agonis Tetaj në shtatorin e vitit 2018 në kompaninë “Gogaj Ag” dhe për veprën penale të armëmbajtjes paleje.
Përveç Gogaj, për armëmbajtje paleje, akuzohet edhe i pandehuri Isuf Cacaj.
Këtë çështje penale e përfaqëson Prokuroria e Gjilanit, pasi Kryeprokurori i Apelit, Haxhi Dërguri kishte aprovuar propozimin e mbrojtjes së të pandehurit, duke përjashtuar Prokurorinë e Pejës nga trajtimi i këtij rasti, me arsyetimin e trajtimit të njëanshëm të rastit.