Zëdhënësi i grupit islamik palestinez “Hamas”, Hazem Qassem, ka kritikuar vendimin e Kosovës për hapjen e ambasadës së saj në Jerusalem.
Në një deklaratë dhënë agjencisë turke të lajmeve “Anadoly Agency”, ai ka thënë se ky veprim është në kundërshtim me ligjet ndërkombëtare dhe ka synon inkurajimin e vendeve të tjera për të normalizuar lidhjet me “regjimin sionist të Izraelit”.
Wasel Abu Youssef, anëtar i komitetit ekzekutiv të grupit ombrellë të Organizatës Çlirimtare Palestineze, tha se veprimi i Kosovës bie në kundërshtim me rezolutat e OKB-së për statusin e “territoreve të okupuara” dhe synon të “dobësojë çështjen palestineze”.
“Hamasi dënon ashpër lajmërimin nga ministria e Jashtme e Kosovës rreth hapjes së një ambasade në Jerusalemin e okupuar. … Kjo lëvizje është një shkelje e qartë e të gjitha rezolutave ndërkombëtare dhe traktateve humanitare dhe pasqyron një paragjykim të tmerrshëm ndaj pushtimit izraelit”, citon agjencia ruse e lajmeve “Sputnik” të ketë thënë Qassem në një deklaratë.
Ministrja e Jashtme e Kosovës njoftoi dje për hapjen zyrtare të ambasadës në Jerusalem, mbi bazën e marrëveshjes së nënshkruar më 4 shtator të vitit të kaluar në Shtëpinë e Bardhë.
Hapja e ambasadës u prit me kritika edhe nga Turqia, e cila, përmes Ministrisë së saj të Jashtme reagoi duke e cilësuar këtë veprim si “të papërgjegjshëm dhe të paligjshëm”.