Prokuroria Themelore në Prishtinë, Departamenti i Krimeve të Rënda, njofton se pas pranimit të informatës nga policia për dy persona të pa jetë në lagjen “Emshir”, në Prishtinë, prokurori kujdestar i këtij departamenti menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes bashkë me njësitë tjera relevante. Ekipi mjekësor ka konstatuar dy trupa të pajetë, njëri person i gjinisë femrore dhe tjeri i gjinisë mashkullore, ndërsa në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja dhe një armë.
Sipas dyshimeve fillestare, personi i gjinisë mashkullore fillimisht ka privuar nga jeta personin e gjinisë femrore, e më pas ka kryer vetëvrasje.
“Prokurori i Shtetit, në koordinim me policinë janë duke i ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, me qëllim të grumbullimit të informatave dhe provave rreth këtij rasti.
Me urdhër të prokurorit kujdestar, trupat e pajetë do të dërgohen në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë”, njofton prokuroria, transmeton Gazeta Express.
Duke u thirrur në burime të veta, Gazeta Express raportoi se viktimat janë burrë e grua, ndërsa sipas fqinjëve çifti kishin probleme të vazhdueshme mes vete.
Sipas versionit të fqinjëve problemet kanë ardhur edhe si shkak i xhelozisë.