Imami i suspenduar nga Peja, Zuhdi Hajzeri, ka paditur kryetarin e BIK-ut në Pejë, Musli Arifajn dhe kryeimamin Enes Gogajn,
Hajzeri, i suspenduar që nga prilli i vitit 2019 i ka paditur të lartpërmendurit “për kompensim të dëmit të shkaktuar moral dhe prishjes së reputacionit përmes shpifjes dhe fyerjes e deklaratave të rreme”.
Në dokumentet që ka siguruar Gazeta Sinjali, Zyhdi Hajzeri pretendon se ndaj tij është shpifur me deklarata “se kinse në sferën e mësim-besimit asnjëherë nuk ka treguar përpjekje të japë kontribut dhe se prapa sulmeve të Këshillit të Bashkësisë Islame në Pejë dhe nëpunësve të saj, qëndron pikërisht Hajzeri”.
Kryeimami Enes Goga ka konfirmuar se më 19 mars do të paraqitet para Gjykatës për këtë padi.
“Po është e vërtetë se me datën 19 më ka thirr ndërmjetësuesi, pra më 19 mars. Gjykata Civile ka parapa takim me ndërmjetësuesin. Më ka padit edhe mu, e ka padit edhe kryetarin e Bashkësisë Islame në Pejë”, ka thënë Goga për Sinjalin.
Goga e ka quajtur Hajzerin “recidivist” teksa ka thënë se ai po e akuzon pa fakte institucionin që po e ushqen atë, BIK-un.
“Ky në vazhdimësi na ka shkaktu kokëçarje neve, i cili ka qenë edhe i largum për një vjet nga BIK-u. E ka konsumu dënimin, por prapë nuk ka reflektu përkundër kërkim-faljes, përkundër zotimeve, përkundër familjarëve të tij që kanë ardhë dhe na janë përgjëru me ja falë”, ka shtuar Goga.
Pakënaqësia mes palëve kishte filluar për shkak të ndarjes së territoreve të xhamive në Pejë, se cili xhemat cilës xhami i takon, qysh në vitin 2018. Hajzeri kishte pretenduar se deri më 31 dhjetor të vitit 2018 do të duhej të dorëzohej raporti për ndarjen e territoreve tek secili imam, çka sipas tij nuk kishte ndodhur.
Hajzeri pretendonte se dokumenti i vendimit të BIK-ut në Pejë ishte falsifikuar me ç’rast në lajthitje ishte vënë edhe Komisioni.
Ai kishte denoncuar rastin dhe akuzuar Enes Gogën për falsifikim të dokumenteve, mashtrim dhe keqpërdorim të detyrës zyrtare. Përveç Gogës, për falsifikim të dokumenteve ishin duke u hetuar edhe Kryetari i Bashkësisë Islame në Pejë, Musli Arifaj e sekretari i BIK-ut në këtë komunë, Fuad Hoxhaj.
Por, Prokuroria Themelore e Pejës në dhjetor të vitit të kaluar kishte hedhur poshtë kallëzimin penal ndaj Enes Gogës. Sipas aktvendimit, dokumenti i paraqitur nga Hajzeri si i falsifikuar nuk ekzistonte fare, pra, ishte i imagjinuar.
Zuhdi Hajzeri që nga prilli i vitit 2019 është suspenduar nga puna. Kjo për shkak që ai ka munguar disa herë në punë pa kërkuar leje.