Ish-anëtarja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla i ka reaguar Pal Lekajt i cili tha për Sinjalin se vendimi i Haradinaj-Stubllës është i ngutshëm dhe ka ardhur në një moment jo të përshtatshëm dhe se nuk e kishte kuptuar se çfarë ka dashur të thotë me deklaratën se disa njerëz po e bëjnë AAK-në të pareformueshme, transmeton Gazeta Sinjali.
Haradinaj-Stublla e ka quajtur Lekajn ‘kryetoksik’, teksa tha se ai kishte shantazhuar e kërcënuar “mbështetës të sinqertë të AAK-së në Gjakovë, natën pas përfundimit të zgjedhjeve”.
“I mbajti hermetike rezultatet e Gjakovës për kandidatët e AAK-së për dy ditë rresht, mesiguri që për asnjë arsye të shëndoshë”, ka shkruar Haradinaj-Stublla.
Ajo ka shtuar se nuk mund të qëndrojë e heshtur “para kriminaliteteve të Lekajt dhe rrethit të tij”.
“Jam tani mjaft me përvojë – zotëri, dhe vitet që kam përpara, më duhet t’i shpenzoj për të realizuar të vërtetën time, misionin tim, ëndrrën e gjeneratës sime, e jo të vazhdoj të qëndroj e heshtur para ‘kriminaliteteve të shumëllojshme’ të njerëzve si ti e rrethi yt, që kujtoni se jeni të barabartë me mua e mund të vlerësoni punën e kontributin tim”, ka vazhduar ajo.
Ajo ka thënë se është e lumtur që mirëqenia e saj dhe familjes nuk varet nga Lekaj dhe rrethi i tij.
“Sepse t’kishte qenë kështu, më kishit lënë në grevë urie derisa t’ju kisha bërë ndonjë favor, apo derisa t’i kisha mbyllë sytë përpara piramidës tuaj të dyshimtë, për mos të thënë kriminale”, ka shtuar ajo duke e quajtur Lekajn ‘delirant’.
Shkrimi i plotë:
RINUMËRIM TOTAL
Kryetoksiku paska ‘vlerësuar’ punën, kontributin, dhe bashkëpunimin me mua, duke thënë se nuk e ka kuptuar saktësisht deklaratën time… e mu për këtë arsye, po ia plotësoj me gjithë qejf dëshirën.
Nënkryetari ‘i përhershëm dhe i pamposhtur’, i cili trembi e largoi shumë figura të dinjitetshme e kredibile nga strukturat e degës në Gjakovë, dhe nga kryesia qendrore e partisë, vetëm e vetëm për të mos humbur ‘pushtetin’ e tij përbrenda partisë, duke qëndruar me insistim afër kryetarit Haradinaj. Fakt i mirënjohur tashmë që ka shumë të tillë si ky zotëriu përreth aty, nga të gjitha anët, por meqë paska reaguar pa e pyetur kush, si po të ndihej fajtor – po merrem me të, sa për të gjithë.
I shokuar nga rezultati i natës së zgjedhjeve, pas mbylljes së vendvotimeve dhe numërimit në Gjakovë, ishte pikërisht ky që tregojnë shumë burime se ‘shantazhoi e kërcënoi’ të gjithë mbështetësit e sinqertë të AAKsë që përkrahën kandidatë të tjerë, specifikisht JO atë dhe rrethin e tij të të panjohurve dhe të sapoaderuarve në listë. I mbajti hermetike rezultatet e Gjakovës për kandidatët e AAK-së për dy ditë rresht, mesiguri që për asnjë arsye të shëndoshë.
Jam tani mjaft me përvojë – zotëri, dhe vitet që kam përpara, më duhet t’i shpenzoj për të realizuar të vërtetën time, misionin tim, ëndrrën e gjeneratës sime, e jo të vazhdoj të qëndroj e heshtur para ‘kriminaliteteve të shumëllojshme’ të njerëzve si ti e rrethi yt, që kujtoni se jeni të barabartë me mua e mund të vlerësoni punën e kontributin tim që as se kuptoni, as skeni kapacitet intelektual t’a komentoni, e as që keni bashkëpunuar ndonjëherë me mua për të më njohur.
Të jeni i bindur zotëri, që shpesh mendoj se për nivelin që e keni, i keni shumë mirë punët. Dhe jam e lumtur që mirëqenia ime dhe e familjes sime nuk është varur e nuk varet nga rrethi yt – siç varen disa pseudo portale e disa të ‘sapoaderuar.’ Sepse t’kishte qenë kështu, më kishit lënë në grevë urie derisa t’ju kisha bërë ndonjë favor, apo derisa t’i kisha mbyllë sytë përpara piramidës tuaj të dyshimtë, për mos të thënë kriminale.
Të kërkoj falje që e zgjata – zotëri ‘i pamposhtur’ – ndoshta edhe të ka marrë gjumi me lexim deri tash në këtë paragraf. Por jam e obliguar ta këpus vrullin ty e secilit deliranti si ty, që ka vetëbesimin të më reagojë.
Admirim për guximin. Po e ndal me kaq këtë herë.