Sipas mediave të huaja, përcjell Telegrafi, studiuesit në Institutin e Teknologjisë së Prodhimit dhe Materialeve të Avancuara Fraunhofer (IFAM), të udhëhequr nga Marcus Vogt, e quajtën produktin e tyre – i cili mund të ishte revolucionar në sektorin e transportit – “Powerpaste”.
Siç bëhet e ditur, përbërësi kryesor i pastës është hidridi i magnezit, një përbërje që, kur futet në ujë, reagon me të për të formuar hidrogjen dhe hidroksid magnezi.
Ai do të vendosej në automjete në formën e një “gëzhoje” dhe për t’u furnizuar me karburant, një shofer do të ndërronte një gëzhojë të përdorur hidrogjeni me një të re dhe më pas do të mbushte rezervuarin me ujë.
Sipas studiuesve, “pasta” ofron një mundësi të sigurt, së paku për fillim, të përshtatshme dhe të përballueshme të karburantit të hidrogjenit për automjete të vogla siç janë skuterët, ose në dronët fluturues.
Pasta ka një dendësi të madhe të ruajtjes së energjisë, ka thënë Vogt, duke shtuar se ka një depozitë më shumë energjie për litër dhe për kilogram, sesa benzina ose bateritë mund të ofrojnë.
Për më tepër, ndryshe nga një bateri, pasta nuk e humbet gradualisht energjinë e saj të ruajtur nëse lihet “e pashfrytëzuar”.
Ndryshe, në përpjekje për të luftuar ndryshimin e klimës dhe ngrohjen globale në vitet e fundit, shumë kompani dhe vende kanë zhvendosur vëmendjen në zgjidhjet e energjisë me bazë hidrogjeni.