Dogana e Kosovës në dy muajt e parë të këtij viti ka parandaluar 30 raste tentimi për kontrabandim.
Zëdhënësi i Doganës, Adriatik Stavileci ka treguar se pandemia ka ndikuar në të gjitha sferat ekonomike në Kosovë, por ka edhe ulje të kontrabandimeve.
“Në aspektin e kontrabandës nuk mund të themi që kemi kontrbandim të madh të mallrave. Dogana gjithmonë është në krye të detyrës dhe gjithmonë vazhdon të parandalon rastet e dyshimta të kontrabandimit. Vetëm gjatë dy muajve të parë kemi pasur 30 raste ku janë parandaluar tentim kontrbandime të ndryshme, dhe viti i kaluar ka ndikuar edhe në ekonomi edhe nëse merret si shembull ka ndikuar edhe në uljen e kontrabandimit dhe mund të jetë një e mirë prej pandemisë për arsye të ndalimit të qarkullimit të lëvizjes”, thotë ai.
Ai thekson se rastet më të shpeshta të kontrabandës janë te produktet që kanë taksa.
“Nuk mund të themi që kemi një produkt të caktuar, vite më parë kemi pasur kryesisht me produkte akcizore që kanë taksa, por në përgjithësi janë produktet të cilat tentojnë të shmangin produktet që kanë më shumë tatim në importin e rregullt dhe ato janë produktet e leverdishme për kontrabandist sepse fitimi i tyre është më i madh”, shtoi Stavileci për EO.
Ndërsa, ai ka bërë të ditur se mbi 8% janë rritur të hyrat nga Dogana e Kosovës në këtë fillim vit.
“Të hyrat e këtij fillimi-viti në doganën e Kosovës janë mjaft të mira dhe kemi një fillim vit të mbarë në aspektin e mbledhjes së të hyrave, por zakonisht aspekti i mbledhjes së të hyrave është e ndërlidhur edhe me performancën e ekonomisë së Kosovës, për momentin se flasim jemi rreth 8% më shumë se viti i kaluar, pra periudha janar-shkurt 2021 me periudhën janar-shkurt 2020. Nëse në vitin 2020 kemi pasur deri në 158 milionë euro tani kemi rreth 170 milionë euro që është 8% apo disa milionë më shumë se viti i kaluar”, tha Stavileci.