Një pensioniste me leukemi ka treguar se çfarë plagë i kanë shkaktuar dy persona që u munduan t’ia vjedhin karrocën elektrike, ndonëse në fund ikën duarthatë.
Zonja Ida Brown, 79 vjeçe, u përball para disa ditëve me dy burra para derës së shtëpisë në Dunston të Britanisë së Madhe, duke e përplasur për muri.
Personat e dyshuar ikën nga vendi i ngjarjes, duke e lënë gruan e moshuar të rrëzuar në tokë, me lëndim në gju dhe mavijosje të madhe përreth syve, shkruan Daily Mail.
Asaj ia nxori gjumin macja dhe shkoi për të shikuar se çfarë ishte duke ndodhur prapa shtëpisë, në të cilën jeton e vetme.
“Ata nuk arritën që ta vidhnin karrocën time, por vetëm më kujtohet se si vraponin duke u larguar dhe duke thënë se do të kthehen përsëri”, tha zonja Brown.
“Unë jam me leukemi dhe sapo më është vendosur një stimulues kardiak në zemër para se të ndodhte e gjithë kjo, prandaj më nevojitet karroca për t’u endur. Gjuri po më dhemb vërtet dhe nuk kam mundur ta hap syrin për disa ditë pas kësaj”, shtoi ajo.
“Për shkak të leukemisë, nuk mund të përdor disa nga ilaçet për luftimin e dhimbjeve, prandaj trupi më dhemb shumë. Fqinjët vërtet më kanë përkrahur dhe macja është rojtare e mirë, por është e frikshme të mendohet se ata mund të kthehen”, rrëfeu më tej zonja Brown.
Ajo tha se shpreson që policia do t’i gjejë ata që e sulmuan dhe se nuk do t’ia hapë më derën askujt, sepse nuk dëshiron të përballet përsëri me sulme të ngjashme.