Sot mbyllet afati që subjektet politike dhe kandidatët të dorëzojnë ankesat e tyre në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në lidhje me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 14 shkurtit.
Mul Desku nga PZAP-i tha dje Sinjalit se afati për dërgimin e ankesave është 24 orë nga momenti i shpalljes së rezultateve nga KQZ-ja e që i bie deri sot pas orës 11.
“Afati për paraqitjen e apeleve kundër këtyre rezultateve është 24 orë nga momenti i shpalljes së tyre, ndërsa PZAP-i duhet të marrë vendime lidhur me këto apele brenda 72 orëve”, ka thënë Desku.
Deri dje janë paraqitur 15 apele që sipas Deskut kryesisht kanë të bëjnë me ankesat e kandidatëve për mospërputhje të rezultateve.