Ndërtimi i hidrocentralit në lumin Kaqandoll ka qenë temë diskutimi në dëgjimin publik të organizuar nga Komuna e Podujevës, shkruan Gazeta Sinjali.
Kryetari Shpejtim Bulliqi tha se kompania “Hidrocom” sh.p.k., duke shpërfillur plotësisht vendimet e Komunës, e cila dy herë ka refuzuar ta pajisë këtë kompani me leje mjedisore, ka marrë pëlqim nga Ministria e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) për realizimin e projektit për ndërtimin e hidrocentralit, në rrjedhën e lumit Kaqandoll në territorin e Komunës së Podujevës.
“Kompania në mënyrë të njëanshme, duke bashkëpunuar vetëm me Ministrinë e Ekonomisë dhe Ambientit (MEA) dhe pa lejen e Komunës së Podujvës, për të cilën është refuzuar dy herë, ka filluar procedurat e realizimit të projektit. Prandaj edhe na ka detyruar neve si Komunë të ushtrojmë padi për ta kundërshtuar formën arbitrare të dhënies së këtij pëlqimi mjedisor nga MEA”, tha kryetari Bulliqi, ka njoftuar komuna.
Kryetari Bulliqi tha se edhe forma e organizmit të këtij dëgjimi publik, krejt formale dhe pa bashkëpunim me banorët e këtyre fshatrave, është tregues i qartë i përpjekjes për fillim të heshtur të realizimit të këtij projekti, i cili dëmton ambientin-pasurinë natyrore të këtyre fshatrave.
“Ne do të vazhdojmë ta kundërshtojmë këtë projekt, për të cilin kemi edhe përkrahjen e banorëve të kësaj pjese. Orientimi ynë është që për këto zona të ofrojmë investime që përmirësojnë infrastrukturën dhe nxisin investime në zhvillimin dhe promovimin e turizmit dhe asesi nuk lejojmë projekte që shkaktojnë degradim mjedisor”, tha kryetari Bulliqi.
Edhe përfaqësuesi i fshatit Popovë, Muhamet Murati, në emër të banorëve të fshatrave përgjatë lumit Kaqandoll, tha se në asnjë rast nuk është konsultuar komuniteti dhe shprehu kundërshtimin për realizmin e këtij projekti, i cili sipas tij bie ndesh edhe me Strategjinë lokale për zhvillim të Turizimit, strategji për të cilën kanë kontribuar këta banorë.
Ndërsa përfaqësuesi i kompanisë, “Hidrocom” sh.p.k., Adnan Elshani, tha se kompania në fjalë sipas legjislacionit në fuqi ka organizuar këtë debat. Ai tha pëlqimi mjedisor është marrë sipas kritereve të ministrisë.