Drejtori i përgjithshëm i Sekretariatit të Këshillit Prokurorial të Kosovës, Lavdim Krasniqi dhe asistentja e tij, Marigona Berisha, sot pritet të dalin para Gjykatës Themelore në Prishtinë, pas kërkesës së Prokurorisë për masën e paraburgimit.
Seanca pritet të mbahet në orën 12:00 dhe gjyqtari i cili do të vendos për këtë rast është Kushtrim Shyti.
Sipas njoftimit të prokurorisë, Krasniqi dhe asistentja e tij dyshohet se kanë kryer veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Ushtrim i ndikimit”, “Dhënia e ndihmës kryesve pas kryerjes së veprave penale”, nga neni 380 të KPRK-së, si dhe “Moslajmërimi i përgatitjes së veprave penale”.
Këshilli Prokurorial i Kosovës ka njoftuar dje se ka suspenduar Drejtorin e Përgjithshëm të Sekretariatit, Lavdim Krasniqi, me pagesë 50 për qind të pagës deri në marrjen e vendimit përfundimtar nga gjykata, si dhe asistentes së tij.