y të lartpërmendurit po akuzohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe ushtrim ndikimi, pasi sipas Prokurorisë Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), u kishin mundësuar qytetarëve të Shqipërisë që në mënyrë të kundërligjshme të fitojnë statusin e veteranëve të luftës, duke përfituar në mënyrë të kundërligjshme shumën prej 133.280.00 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në seancën e mbajtur të enjten, në Departamentin Special të Gjykatës Themelore në Prishtinë, prokurori Paca dhe dy të akuzuarit, përmes mbrojtësve të tyre avokatëve Tahir Rrecaj dhe Muhamet Mujaj, kanë dhënë fjalën përfundimtare.
Prokurori Paca, në fjalën përfundimtare, ka thënë se me provat e propozuara në aktakuzë dhe ato që ishin administruar gjatë shqyrtimit gjyqësor, ishte vërtetuar se dy të akuzuarit kishin shfrytëzuar pozitat e tyre zyrtare.
Sipas tij, nga transkriptet e komunikimeve të siguruara në mënyrë të ligjshme ishte vërtetuar se të akuzuarit kishin komunikuar me persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë, i kishin udhëzuar se çfarë dokumentarësh duhej të kompletonin për mundësinë e aplikimit për njohjen e statusit të veteranit, pastaj i kishin njoftuar se kërkesat e tyre ishin aprovuar apo refuzuar.
Po ashtu, sipas prokurorit Paca në këto transkripte vërtetohet se këta persona kishin kërkuar nga të akuzuarit që t’iu ndihmonin për njohjen e statusit si dhe rritjen e shkalles së invaliditetit, ku të akuzuarit për qëllime që aplikuesit të mund të ndikonin në komision, iu kishin treguar edhe emrat e anëtarëve të komisionit.
Nga hyrje daljet e pikave kufitare sipas prokurorit Paca, ishte vërtetuar se dy të akuzuarit në kohën kur po akuzoheshin se kishin keqpërdorur detyrën zyrtare kishin udhëtuar në Shqipëri.
Prokurori Paca përmendi edhe kërkesën për pushim vjetor, të të akuzuarës Rexha, e cila kishte qenë në pushim vjetor në kohën kur i ishin plotësuar aplikacionet edhe pse nuk ishte kompetente për plotësimin apo pranimin e aplikacioneve, por e njëjta ishte udhëheqëse e divizionit për kontrollim të brendshëm dhe të jashtëm në DFIDL.
Sipas prokurorit, na dy shkresa të lëshuara nga MPMS ishte vërtetuar se 31 persona nga Republika e Shqipërisë deri me 30 nëntor 2019, kishin përfituar në mënyrë të kundërligjshme 133,230.00 euro, e nëse llogaritet për secilin sipas prokurorit i bien se kishin përfituar nga 5,270 euro, duke dëmtuar buxhetin e Republikës së Kosovës nga tetori 2017 e deri me 30 nëntor 2019, ishte dëmtuar e veprimet e të akuzuarve në shumë prej 133,230.00 euro.
Por sipas tij, i njëjti buxhet vazhdon të dëmtohet edhe në ditët e sotme, pasi ata persona që kishin përfituar pensionin e veteranit, vazhdojnë ta përfitojnë këtë pension.
Edhe nga dëshmitë e dëshmitarëve të dëgjuar në shqyrtimin gjyqësor, sipas prokurorit Paca ishte vërtetuar se të akuzuarit nuk kishin qenë kompetent për tërheqjen e formularëve e as për të dalë në teren për ti plotësuar këta formularë, dhe se drejtoresha e tyre Shqipe Krasniqi, nuk i kishte urdhëruar asnjëherë e as nuk ishte e informuar për veprimet e dy të akuzuarve.
Nga CD-të e audio incizimeve që ishin realizuar përmes masave të fshehta, sipas prokurorit Paca ishte vërtetuar se në zyrën e Rexhes kishte shkuar Sokol Poga, i cili iu kishte treguar se i kishte sjellë katër lëndë të reja për veteran, e akuzuara Rexha e kishte udhëzuar të akuzuarin Bala se si ti fuste ata persona në lista, por pasi Bala i kishte thënë se këtë punë duhej ta bënte Vlora Blakqori, e akuzuara Rexha e kishte thirrur të njëjtën dhe e kishte kërkuar ti pranonte duke thënë se aplikacionet në emër të aplikuesve do ti nënshkruante ajo, me nënshkrim të përafërt.
“Konsiderojmë se janë elaboruar të gjitha pikat e aktakuzës dhe se është vërtetuar se të akuzuarit kanë kryer të dy veprat penale, andaj propozojmë që të shpallen fajtor dhe të dënohen sipas ligjit”, ka thënë prokurori Paca.
Ai ka kërkuar nga gjykata që me rastin e matjes së dënimit, të ketë parasysh rrethanat renduese si dëmin e madh që iu ishte shkaktuar buxhetit të shtetit me veprimet e të akuzuarve.
Po ashtu, prokurori Paca ka kërkuar nga gjykata që dy të akuzuarit t’i obligojë që të kompensojnë dëmin e shkaktuar i cili deri në nëntor 2019, ka rezultuar 133,230.00 euro, e që sipas tij, ky dëm duhet të llogaritet deri në ditën e plotfuqishmërisë së aktgjykimit.
Ndërsa, mbrojtësi i të akuzuarës Rexha, avokati Tahir Rrecaj ka thënë se me asnjë provë nuk ishte provuar se e mbrojtura e tij kishte kryer veprat penale për të cilat po akuzohet.
Sipas tij, nuk ekzistonte asnjë aplikacion të cilin e akuzuara Rexha e kishte nënshkruar në emër të ndonjë pale, por sipas tij aplikacionet i kishte nënshkruar si zyrtare pasi kishte qenë e autorizuar nga vet drejtoresha Shqipe Krasniqi në mbledhjet e mbajtura të DFIDL-së, për shkak se kishte pasur fluks të madh të punëve.
Ai ka thënë se asnjeri nga të akuzuarit nuk ia kishte njohur aplikuesve statusin e veteranit, por sipas tij këtë të drejtë e kishte pasur komisioni verifikues shtetëror i cili këtyre personave ia kishte lëshuar një certifikatë duke ua njohur këtë të drejtë.
“Vendimi i njohjes për të drejtën e pensionit është i karakterit formal, pasi një të drejtë këta persona veç e kishin fituar nga komisioni, dhe vetëm duhej që personalisht të dorëzonin dokumentet për pension, pastaj kishin pasur të drejtë të aplikojnë, certifikata me njohjen e statusit e ka dhënë komisioni këta vetëm është dashur me plotësu ni formular dhe me e realizuar një të drejtë të fituar më herët”, ka thënë avokati Rrecaj.
Sipas tij, e mbrojtura e tij formularët për aplikim për njohjen e pensionit të veteranit nuk i kishte tërhequr personalisht, por i kishte pranuar nga vet zyrtarja Vlora Blakqori, e cila këta formularë i kishte hartuar në bazë të listës së bashku me disa zyrtarë të tjerë, të cilët i kishin përgatitur 31 formularë për dalje në teren.
Ai tha se për shkak të gjendjes ekonomike dhe shëndetësore disa persona nga Republika e Shqipërisë nuk kishin munduar të vinin në Kosovë për të aplikuar për pension, prandaj sipas tij, shkuarja e të akuzuarës Rexha në Shqipëri, sipas avokatit, nuk paraqet keqpërdorim të detyrës zyrtare.
Sipas tij, e akuzuara Rexha nuk i kishte tërhequr aplikacionet në mënyrë të paautorizuar dhe nuk i kishte tejkaluar autorizimet e saja zyrtare siç pretendon prokuroria, por këta formularë ia kishte dhënë Vlora Blakqori në bazë të listës që e kishte hartuar.
Edhe nga dëshmitarë e dëshmitarëve që ishin dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor, sipas avokatit Rrecja, shkuarja në fshatin Krumë të Republikës së Shqipërisë për t’iu ndihmuar dhe për t’iu dhënë mundësinë për aplikim të disa personave të cilët për arsye financiare dhe shëndetësore nuk kishin pasur mundësi që personalisht të vinin në Kosovë për aplikim, nuk ishte ndaluar me ligj apo me ndonjë udhëzim.
Të gjitha vendimet për njohjen e të drejtës së pensionit të veteranit për 31 aplikues nga Shqipëria, sipas avokatit Rrecaj i kishte nënshkruar vet drejtoresha Shqipe Krasniqi, e cila sipas tij nëse do të kishte pasur ndonjë dyshim, nuk ishte dashur ti nënshkruaj.
“Asnjë provë materiale nuk është inkriminuese për të mbrojturën time, kujt i kërkoj para, kush u dëmtu, nëse ky buxhet është dëmtuar atëherë e ka dëmtuar komisioni qeveritar që ia ka njohur atë të drejtë, e jo e mbrojtura ime, prandaj propozoj që të mbrojturën time ta lironi nga të dyja pikat e aktakuzës”, ka thënë avokati Rrecaj.
Edhe mbrojtësi i të akuzuarit Bala, avokati Muhamet Mujaj ka thënë se në veprimet e të mbrojturit të tij nuk ekzistonte asnjë element i veprës penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.
Sipas tij, pas administrimit të të gjitha provave ishte vërtetuar pafajësia e të akuzuarit Bala, pasi sipas tij, në kohën kur po pretendohen se i njëjti kishte shkuar në Republikën e Shqipërisë së bashku me të akuzuarën Rexha, ai sipas hyrje-daljeve të siguruara nga Policia ishte vërtetuar se kishte qenë në vendin e punës dhe se asnjëherë nuk kishte shkuar në Shqipëri.
Njohja e statusit të veteranit, në bazë të ligjeve dhe udhëzimeve administrative sipas avokatit Mujaj, ishte kompetencë e komisionit qeveritar i cili në momentin kur kishte lëshuar certifikatën për një person, i njëjti kishte fituar të drejtën për të aplikuar për pension, pasi sipas tij, pa këtë certifikatë asnjeri nuk kishte pasur të drejtë aplikimi për këtë beneficion,
Nga dëshmitë e dëshmitarëve të dëgjuar gjatë shqyrtimit gjyqësor, sipas avokatit Muja, ishte vërtetuar se asnjëri nga të akuzuarit nuk kishin përfituar nga puna e tyre zyrtare.
Sipas tij, edhe nga masat e fshehta të hetimit dhe vëzhgimit nuk ishte vërtetuar se të akuzuarit kishin ndihmuar dikë të përfitojë statusin në mënyrë të kundërligjshme apo kishin ndikuar tek ndonjë zyrtar.
“Kushtrimi vetëm i ka falsifikuar disa dokumente, asnjë prej aplikuesve nuk kanë deklaruar se mbushja e aplikacionit është bërë në Shqipëri, por të gjithë kanë deklaruar se i kanë mbushur disa në Gjakovë e disa në zyrën në Prishtinë, asnjeri prej tyre nuk kanë deklaruar as se kanë njohur të mbrojturin tim, prandaj konsiderojmë se nuk është provuar se i akuzuari ka kryer veprën penale sipas prokurorisë, kërkojmë që kjo gjykatë të nxjerrë aktgjykim lirues, pasi në veprimet e të akuzuarit nuk përmbajnë elemente të veprave penale”, ka thënë avokati Mujaj.
Ndryshe në fund të shqyrtimit gjyqësor, prokurori Paca ka thënë se me rastin e përpilimit të aktakuzës ishte bërë një gabim teknik, ashtu që ishte emërtuar se dy të akuzuarit kishin kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, edhe pse duhej të ishte “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
“Ka ndodhur një lëshim teknik, me rastin e përpilimit të aktakuzës thuhet se dy të akuzuarit kanë kryer veprën penale “keqpërdorim i detyrës zyrtare”, por në fakt duhet të jetë se kanë kryer “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, dhe atë nga neni 422, paragrafi 1, i cili kod në kohën e kryerjes së veprës penale kishe qenë në fuqi dhe është më i favorshëm për të pandehurit, meqenëse kodi i ri penal ka hyrë në fuqi në prill 2019, bëjmë edhe korrigjimin e nenit lidhur me veprën penale “ushtrim i ndikimit”, ashtu që duke marrë parasysh kohen e kryerjes së veprës penale duhet të jetë neni 431, paragrafi 1, i Kodit Penal, e që të dy këto dispozita lidhur me nenin 31 të kodit penal që ka të bëjë në bashkëkryerje”, ka thënë prokurori Paca.
Lidhur me këtë ndryshim, trupi gjykues i udhëhequr nga gjykatësi Musa Konxheli njoftoi se gjykata jashtë seancës do të vendos, ndërsa shpallja e aktgjykimi do të bëhet me 5 mars 2021, në ora 09:20.
Sipas aktakuzës së ngritur më 16 dhjetor 2019, e pandehura Sanije Rexha akuzohet se në cilësi të personit zyrtar, udhëheqëse e Divizionit për Kontroll të Brendshëm dhe të Jashtëm në DIFDL të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, në bashkëveprim me të akuzuarin Kushtrim Bala, gjatë muajit tetor të vitit 2017, kanë tejkaluar autorizimet zyrtare.
Siç thuhet në aktakuzë, të njëjtit, pa autorizim kishin marrë 31 formular për aplikim për njohjen e të drejtës së veteranit të luftës dhe kanë shkuar në Republikën e Shqipërisë, në qytetin e Krumës, ku i kanë plotësuar 31 formularët për aplikim për persona të ndryshëm nga Republika e Shqipërisë.
Gjithnjë sipas aktakuzës, formularët e plotësuar i kanë sjellë në Kosovë dhe i kanë dorëzuar në MPMS, duke u mundësuar atyre fitimin e statusit të veteranit të luftës në shumë prej 133.280.00 euro, në mënyrë të kundërligjshme.
Me këto veprime ata akuzohet se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i detyrës zyrtare”, nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 të KPK-së.
Po ashtu, ata akuzohen se në cilësi të personave zyrtarë, kanë ushtruar ndikim të drejtpërdrejtë në zyrtaren me inicialet V.B, për pranimin e katër formularëve për aplikim për statusin e veteranit të luftës që i kishte sjellë Sokol Pogba, shtetas i Republikës së Shqipërisë, me qëllim që këtyre katër personave t’u sigurojë pa të drejtë përfitimin e statusit të veteranit të luftës dhe të drejtën në kompensim për këtë status në bazë të ligjit.
Për këtë, ata akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Ushtrimi i ndikimit” nga neni 424 paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës.