Gazeta më e madhe izraelite Haaretz ka raportuar për deklaratat e kandidatit të Lëvizjes Vetëvenosje për kryeministër, Albin Kurti, për rishqyrtimin e hapjes së ambasadës së Kosovës në Jerusalem, pas presionit nga presidenti turk Rexhep Erdogan.
Gazeta izraelite Haaretz artikullin e saj e ka nisur me titullin “Nën presion nga Turqia, Kosova mund ta kthejë mbrapsht vendimin për të hapur ambasadën në Jerusalem”.
“Të hënën Kurti u takua me ambasadorin e Turqisë në Prishtinë dhe vendimi për të hapur ambasadën e Kosovës në Jerusalem ka qenë njëra nga temat e diskutimit. Vendi ku do të vendoset ambasada do të rishqyrtohet pas rishikimit të dokumenteve të qeverisë në largim”, citon media izraelite deklaratën e Kurtit pas takimit me ambasadorin turk.
Më 1 shkurt, Kosova lidhi marrëdhënie diplomatike me Izraelin dhe vendosi që ta hap ambasadën e saj në Jerusalem, duke u bërë shteti i parë evropian me shumicë myslimane që merr këtë vendim duke ndjekur SHBA-në dhe Guatemalën që kanë vendosur gjithashtu të hapin ambasadat e tyre në Jerusalem.
Presidenti turk, Erdogan, ka paralajmëruar Kosovën se një lëvizje e tillë mund t’i dëmtojë marrëdhëniet me shtetin e tij në të ardhmen.
“Unë besoj se do të ishte një përfitim për të mënjanuar një lëvizje të tillë që do t’i shkaktonte dëm të madh Kosovës”, kishte thënë Erdogan.