Mbajtja e armëve, apo armëve të ftohta është shndërruar në një dukuri goxha të shpeshtë në Kosovë, ku si pasojë e mbajtjes së këtyrë armëve shpeshherë ndodhin edhe incidente, të cilat mund të rezultojnë me fatalitet.
Gazeta Sinjali mëson se vetëm gjatë ditës së djeshme në Prishtinë janë arrestuar tre persona për armëmbajtje pa leje, e të cilat ishin kryesisht armë të ftohta, si thika e brisku.
Burimet e Gazetës Sinjali bëjnë të ditur se Policia pas kontrolli të automjetit te dy prej të arrestuarve gjeti dhe konfiskoi një thikë dhe një brisk.
Ndërsa, njoftojnë se rasti i tretë kishte ndodhur dje në rrugën “Ilir Konushevci”, rreth orës 16:00, ku nga Policia e Kosovës është ndaluar një person dhe pas kontrollit të tij trupor, i është gjetur dhe konfiskuar një thikë.
Çdo ditë ka raportime për kryerje të kësaj vepre penale, e këto evidentohen sidomos te moshat e reja, të cilët mbajnë me vete thika dhe brisqe, mirëpo edhe numri i arrestimeve të të dyshuarve për këtë vepër penale është goxha i lartë.