Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, i ka shkruar letër urimi kreut të Vetëvendosje, Albin Kurti, ku edhe i ka përmendur marrrëveshjen e fundit mes Kosovës dhe Izraelit dhe vendimin e Prishtinës që të vendoset Ambasada e Republikës së Kosovës në Jerusalem, shkruan Gazeta Sinjali.
Në letrën e tij dërguar Kurtit, Netanyahu, është shprehur se do të ishte i lumtur që ta mirëpriste atë në inaugurimin e Ambasadës së Kosovës në Jerusalem.
“E vlerësoj si shumë të rëndësishëm vendimin e Kosovës për të hapur Ambasadën në Jerusalem dhe iu pres në Izrael për inaugurimin e saj”, ka shkruar ndër të tjera Netanyahu.
Njohja reciproke Kosovë – Izrael ka ardhur si rezultat i marrëveshjes së Uashingtonit. Kosova ka vendosur që të vendos ambasadën në Jerusalem, gjë që ka ngjallur mjaft reagime.
Derisa nga Lëvizja Vetëvendosje për një vendim të tillë të Kosovës për vendosjen e Ambasadës në Jerusalem ka pasur qëndrime të ndryshme.
Glauk Konjufca ka thënë se nëse do të jetë kusht dhe kërkesë i Bashkimit Evropian, atëherë do ta shqyrtojnë një vendim të tillë.