Muaji shkurt ishte paralajmëruar si periudhë e arritjes së vaksinave të para kundër COVID-19 në Kosovë. Deri tani asnjë asnjë syresh nuk është siguruar.
Megjithatë, Isme Humolli nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, tha për Zërin e Amerikës se dozat e para të vaksinave pritet të arrijnë javën e ardhshme ose në javën e parë të muajit mars, përcjell Klan Kosova.
“Siç jeni në dijeni Kosova një sasi bukur të madhe të vaksinës do ta marrë nga mekanizmi i COVAX-it. Dëshira e të dy palëve, edhe e Kosovës edhe e COVAX-it është që vaksina të vije sa më parë, por jemi dëshmitarë të asaj që ka mungesë të vaksinës për shkak të pamundësisë së prodhimit të sasisë së nevojshme apo aq sa po kërkohet nga shtetet. Pra kapacitetet janë më të ulta”, tha zonja Humolli.
Ajo tha se Kosova nuk ka ngecur prapa në këtë proces, por vonesat janë rrjedhojë e kufizimeve në prodhim si dhe e mundësive më të mëdha financiare të shteteve tjera.
“Në rastin konkret Serbia ka ecur shumë përpara edhe shumë shteteve tjera, jo vetëm shteteve të rajonit, Shqipëria është duke vaksinuar me donacion me një numër jashtëzakonisht të vogël të vaksinave, Maqedonia dhe shtetet tjera jemi në fazën e njëjtë. Pra nuk mund të themi se Kosova ka ngecur por duhet ta kemi parasysh edhe një gjë tjetër, që shtetet të cilat janë më të pasura ato kanë zotuar miliona për vaksinat në kohën kur vetëm ka filluar prodhimi i vaksinave”, thotë ajo.
Sipas planit kombëtar për imunizim, në Kosovë së pari do të vaksinohen disa kategori më të rrezikuara, ndërkaq pritet që deri në fund të këtij viti të vaksinohet më shumë se 60 për qind e popullsisë.
“Grupet që kanë përparësi janë fillimisht punëtorët shëndetësorë, por jo të gjithë, punëtorët shëndetësor të cilët drejtpërsëdrejti janë të përfshirë në trajtimin e pacientëve me Covid, pastaj personat të cilët marrin strisho dhe mostra nga rastet e dyshimta me Covid dhe në të njëjtën kohë janë kategorizuar edhe personat 80 vjet me sëmundje kronike, pastaj personat 70 vjet me sëmundje kronike dhe kështu gradualisht do të arrihet të përfshihet popullata”, tha ajo.
Kryetari i Odës së Mjekëve të Kosovës, Pleurat Sejdiu, thotë se çdo vonesë në këtë proces është rrezik për zgjerim infektimesh dhe humbje të mjekëve në vend. Deri tash afro katër mijë punonjës shëndetësor janë prekur nga COVID-19, dhe 18 kanë humbur jetën, thotë ai.
“Ky mund të thuhet se nuk është numër i madh, por kur shikojmë se cili është kapaciteti jonë, flasim për rreth 40 përqind të mjekëve. Jemi në pritje, është e vërtetë që kemi shpresuar mjaft shumë në ardhjen e vaksinës pak më herët, së paku një kontigjent i cili do të siguronte që kapacitetet tona njerëzore të sistemit shëndetësor të jenë të vaksinuar dhe të jenë të përgatitur për valë të re nëse është e projektuar apo nëse ndodhë”, thotë ai.
Bashkimi Evropian tha se për të lehtësuar procesin e vaksinimit në Ballkanin Perendimor, në partneritet me Organizatën Botërore të Shëndetësisë ka nisur një projekt të ri rajonal me vlerë mbi 7 milionë euro.
Pfizer dhe AstraZeneca janë dy vaksinat e autorizuara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë për përdorim kundër COVID-19. COVAX ndërkaq është nismë e kësaj organizate që synon të furnizojë me vaksina vendet e varfra.
Në Kosovë rastet e para me koronavirus u regjistruan në muajin mars të vitit të kaluar dhe që nga atëherë janë regjistruar 66 mijë e 380 të infektuar, 58 mijë e 169 të shëruar si dhe një mijë e 572 persona që kanë humbur jetën nga pasojat e tij.
Gjatë dy ditëve të fundit janë regjistruar 690 të infektuar me COVID-19, ndërkaq katër persona kanë humbur jetën nga pasojat e kësaj sëmundjeje.