Rreth një javë më parë u ekzekutua me një pistoletë me silenciator, shqiptari Armando Beqiri në Islandë. Kjo vrasje është parë si një sfidë e madhe për autoritetet islandeze, pasi autori nuk ka lënë gjurmë ndërsa viktima nuk ka pasur të shkuar kriminale.
Së fundmi mediat në Islandë në lidhje me vrasjen që tronditi vendin, kanë shkruar se dyshohet se Beqiri u vra nga një shqiptare.
Deri më tash janë arrestuar dhjetë persona, me origjinë nga Shqipëria, Lituania, Islanda, Estonia, Rumania, Portugalia e Spanja.
Disa jetojnë në Islandë dhe të tjerët jo, mes të arrestuarve janë dy gra.
Mediat në Islandë theksojnë se bazuar te informacionet nga hetuesit dyshimet janë se armën për vrasjen e shqiptarit e shkrepi pikërisht një bashkëkombës i tij.
Megjithatë ky është një version ende i pakonfirmuar mbi fakte dhe nga autoritetet. Një prej shtetasve shqiptar, pasi u mor në pyetje nga autoritetet në Islandë, u la i lirë ndërsa vijojnë hetimet për 9 personat e tjerë, njofton tch.
Në qeli deri tani ndodhen 9 persona nga 7 shtete. Armando Beqiri u ekzekutua mbrëmjen e së shtunës (13 shkurt) në hyrje të shtëpisë duke u qëlluar me të paktën 5 plumba.
33-vjeçari nga Tepelena la pas gruan e tij shtatzënë dhe një djalë të vogël, të cilët ishin në shtëpi kur ai u qëllua.