Rreth 16 mijë pako me fletëvotime kanë arritur të deponohen në Dhomën e Operacionit të votimit me postë, e shumë mërgimtarë të tjerë kanë vendosur të vijnë në Kosovë për t’u bërë pjesë e procesit zgjedhor. Zgjedhjet e parakohshme parlamentare të së dielës kanë shtyrë shumë bashkatdhetarë që këtë fundjavë të vijnë në Kosovë. Nga Zvicra, Gjermania, Austria dhe vendet skandinave janë fluturimet më të shpeshta, ndërkohë që nga java e kaluar ka dhjetë fluturime më shumë.
Zyrtari për Informim në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari”, Bujar Gashi thotë për KosovaPress se ka fluturime më shumë të cilat po aterojnë në këtë aeroport.
“Nëse e krahasojmë me javën e kaluar, vikendin e kaluar me këtë të tashmin që po presim, kemi një rritje prej 10 fluturimeve. Shtetet nga të cilat kemi shumicën e fluturimeve janë Zvicra, Gjermania, pastaj vendet skandinave, Austria e kështu me radhë”, tregon ai.
Tutje, ai tregon se janë gjithsej 16 fluturime që do të realizohen gjatë ditës së sotme.
“Gjatë ditës së sotme priten të realizohen rreth 16 fluturime në ardhje, ndërsa ditën e nesërme pritet të realizohen rreth 35 fluturime”, shton ai.
Por, si duket shumica e atyre që kanë ateruar në këtë fundjavë në Kosovë, kanë ardhur për të marrë pjesë në votimet e së dielës. Nadir Zejnullahu nga Podujeva thotë se ka ardhur nga Berlini për të votuar, ani pse kishte mundësi që votën e tij ta dërgonte edhe përmes postës.
“Kemi mundur (të votojmë përmes postës) por nuk kemi dashur se këtu po na humbin, po hupin postat (zarfet). Kështu po vijmë, po e qesim në vend të vetin, jemi rehat. Kemi pas kohë, atje pandemia e ka bllokuar çdo gjë. Edhe e vizitojmë familjen edhe dashtë Zoti po fitojmë”, ka thënë ai.
Shefid Jakupi nga fshati Reçak thotë se kishte aplikuar për votim, por që nuk e kishte telefonuar askush. Për këtë, ai të premten ka vendosur të vijë në Kosovë.
“Kemi ardhur ekstra për votime, do ta bëjmë atë çka mundemi për popullin dhe atë çka është më e mira, do të votojmë në emër të Zotit. Prej këtyre zgjedhjeve presim shumë, presim mrekulli mos të them, po presim shumë. Fatkeqësisht jo, kam aplikuar (për votim me postë), por nuk më ka thirr askush. Kështu që e kam marrë vendim të vij vet (fizikisht)”, ka shtuar ai.
Për të ushtruar të drejtën e tij për votë ka ardhur sot në Kosovë nga Berlini edhe Arton Rekaliu.
“Për votime normal (kemi ardhur), ajo është gjithqysh. Prej këtyre zgjedhjeve presim sene të mira. Kosova është mirë në krahasim me vendet e tjera, nuk është qysh e bëjmë. Edhe me ardh ndonjë i ri nuk e bën një ndryshim qysh mendojnë njerëzit. Ata që kanë qenë, janë të mirë gjithë”, ka thënë ai.
Disa shtete të Evropës konsiderohen me rrezikshmëri të lartë, kështu qytetarët që jetojnë në këto shtete për të hyrë në Kosovë duhet të posedojnë testin PCR negativ jo më të vjetër se 72 orë ose duhet të qëndrojnë 7 ditë në vetëizolim.