Kemi hyrë në ditën e 12 të muajit shkurt dhe minatorët e “Trepçës”, ende nuk kanë marrë pagat e janarit.
E pikërisht kjo mungesë e pagave ka detyruar një pjesë të ndërrimit të dytë të natës së kaluar të mos dalin fare jashtë horizontit, aty ku edhe kishin punuar tërë ditën, raporton IndeksOnline.
Kryetari i Sindikatës së Pavarur të Punëtorëve të Trepçës, Gani Osmani, në një prononcim për IndeksOnline ka thënë se bëhet fjalë për 10 persona të cilët kanë refuzuar të dalin, ndërsa ndërrimi i tretë i përbërë nga rreth 40 persona nuk kanë dalur fare në punë.
Ndërrimi i dytë nja 20 vet apo 25 në horizontin, ndërsa kur ka përfunduar ndërrimi 10 kanë mbetur brenda e kanë refuzuar të dalin. Ndërsa në ndërrimin e tretë janë 40 persona e të cilët nuk kanë dalur fare në punë”, tha Osmani për IndeksOnline.
Ai ka sqaruar tutje se kanë biseduar me Kryeshefin ekzekutiv të “Trepçës” Enes Muzaqi i cili ka kërkuar mirëkuptimin e punëtorëve edhe për 4 ditë të tjera deri në daljen e pagave, mirëpo situate si duket është bërë e padurueshme për minatorët”.
Osmani ka theksuar tutje se tash e 3 muaj, minatorët e mbajnë vetën me shitjet e koncentratit të xehes dhe se nuk kanë asnjë ndihmës nga qeveria.