Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, nga Shtërpca, ju ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të refuzojnë propagandën marksiste dhe të rreshtohen me programin e Lidhjes Demokratike të Kosovës për zhvillimin dhe integrimin e vendit në familjen euroatlantike.
“Në vizionin tonë dhe me projektet konkrete tashmë të siguruara nga qeverisja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Kosova do të shndërrohet, jo vetëm në një shtet modern, qendër administrative, e arsimit, e kulturës, e rinisë dhe sportit, por edhe një nyje rajonale e zhvillimit ekonomik e teknologjik”, tha kryeministri Hoti.
Hoti tha se partia e ‘shiritave të kuq’ ëndërrojnë pushtetin suprem mbi qytetarët dhe këtë e synojnë përmes revolucionit marksist-leninist.
“Programi i LDK-së, si parti e qendrës së djathtë, mbështetet në vlerat demokratike, si: respekti për traditën, lirinë, drejtësinë dhe tolerancën, përgjegjësin dhe transparencë, liri të shprehjes, liri individuale dhe kolektive, që paraqesin fundamentin e shoqërisë moderne evropiane të Kosovës”, tha Hoti.
Sipas tij, LDK-ja në programin e saj qeverisës ofron mundësi për realizimin e vizionit për Kosovën shtet i pavarur dhe demokratik, shtet i zhvilluar dhe i integruar në strukturat euro-atlantike, duke vazhduar fuqizimin e marrëdhënieve me partnerët strategjikë ndërkombëtar – BE-në dhe SHBA-të.
“Në programin e Lidhjes Demokratike për mandatin e ardhshëm katërvjeçar, vend me rëndësi ka zënë zhvillimi ekonomik dhe punësimi. Zhvillimi ekonomik do të mbështetet në sektorin privat, i cili është bazë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. Do të punohet në krijimin e kushteve për punësim të qëndrueshëm dhe dinjitoz, duke promovuar konkurrencën e lirë, me rol të kufizuar të shtetit në ekonomi, kryesisht si lehtësues e rregullator i zhvillimit ekonomik, bazuar në prioritetet nacionale zhvillimore, me kujdes të veçantë ndaj mjedisit, për ta ruajtur atë edhe për brezat e ardhshëm”, pohoi kryeministri.
Ai tha se Kosova e ka të domosdoshme përgatitjen e një orientimi të qartë strategjik afatgjatë të zhvillimit, ku vendosen prioritetet zhvillimore dhe kornizat e politikave ekonomike, fiskale e buxhetore dhe të borxhit publik, që tejkalojnë një mandat qeverisës.
Zyra për Informim e LDK-së