Kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për kryeministër, Avdullah Hoti, tha të enjten në lagjen “Kodra e Trimave” në Prishtinë se sa më afër që po i afrohemi ditës së diele, 14 shkurtit, aq më shumë po bindet në fitoren e madhe që na pret në zgjedhje.
“Kosovarët janë qytetarët më proevropianë, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës është partia e vetme e integruar në Evropë, pasi që jemi anëtare e Partive Popullore Evropiane. Këtë rrugë neve na e ka trasuar presidenti jonë historik Ibrahim Rugova, i cili në bazamentin e filozofisë së tij politike, e kishte integrimin në BE dhe miqësi të përjetshme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, tha Hoti.
Sipas tij, këtë rrugë po e ndjek edhe sot LDK-ja, këtë rrugë po e ndjek edhe unë si kandidat i kësaj partie të madhe dhe si kryeministër i ardhshëm.
“Shikoni fushatën vetëm 10 ditët e fundit. Njëri kryetar i tyre në Mitrovicë i ofendon ulët qytetarët e tij, ndërsa tjetri në Podujevë përdor edhe dhunë ndaj një personi të moshuar. Kjo është kultura e tyre politike, të cilën ditën e diele do ta dënojnë qytetarët me votën e lirë”, tha kryeministri.
Ai shtoi se ‘partia e shiritave të kuq’ nuk kanë guxim të përballen as me oponentët politikë, as me gazetarët, sepse kanë frikë nga përballja me të vërtetën.
“Ata kanë frikë se para 14 shkurtit u zbulohet demagogjia. Përderisa ne krenohemi me historinë e partisë dhe kontributin për liri, demokraci dhe shtetndërtim, oponentët tanë kanë punësuar IT për të fshirë historinë e tyre të turpshme”, shtoi kandidati i LDK-së për kryeministër.
Hoti tha se Kodra e Trimave, është Dega e LDK-së cila i jep shpirt dhe frymë fitoreve të LDK-së. “Kodra e Trimave është dega e cila qe 30 vite është fituese e të gjitha zgjedhjeve dhe se ju i jepni shpirt dhe frymë fitoreve të LDK-së”, tha Hoti.