“Komisioni Qendror i Zgjedhjeve është duke vazhduar të pranojë pako të supozuara me fletëvotime të cilat po vijnë nga jashtë vendit në kuadër të periudhës së votimit përmes postës. Deri më tani (e enjte, ora 16:00) numri i pakove të supozuara me fletëvotime që janë pranuar është: 15 mijë e 966”, tha Elezi.
Po ashtu, ai bëri të ditur se pranimi i këtyre pakove po bëhet me përcjelljen e Policisë së Kosovës si dhe vëzhguesve të subjekteve politike dhe organizatave jo-qeveritare të akredituara.
Ndryshe, janë 102,100 qytetarë që janë regjistruar dhe verifikuar në KQZ për të votuar nga jashtë për dallim nga zgjedhjet e vitit 2019 ku ishin 35,087 të regjistruar, por që në Kosovë brenda afatit arritën 20,200 vota.