Reshjet e vazhdueshme të shiut gjatë natës së mbrëmshme kanë shkaktuar vërshime dhe vështirësi të qarkullimit të makinave në disa komuna të Kosovës.
Komuna e Drenasit ka njoftuar sot se në lokalitete të ndryshme kanë nisur vërshimet dhe disa rrugë janë bërë gati të pakalueshme.
Komuna përmes një postimi në faqen në Facebook, ka kërkuar nga qytetarët të kenë kujdes, teksa ka lënë edhe një numër kontakti për raste emergjente.
“Rruga Drenas-Dobroshec, përkatësisht te ‘Guri i Plakës’, është thuajse e pakalueshme me tendenca të mbylljes. Ndërsa, edhe në Shtrubullove, shumë shtëpi banimi janë përfshirë nga uji. Për çdo emergjencë, ju lutem lajmërohuni te Zyrtari për Emergjencë, në numrin e telefonit 049978948”, thuhet në postim.
Pas reshjeve të shiut, probleme me vërshime janë shfaqur edhe në fshatin Kushtovë të Mitrovicës.
Lagjet e këtij fshati “Latifi” dhe “Binaku”, sot në mëngjes janë zgjuar me sasi të madhe të ujit në rrugë, ndërsa sipas banorëve kjo ka ardhur si pasojë e bartjes së drunjve dhe bllokimit të gypave.
Qytetarët kanë thënë se plani ka qenë të ndërtohen ura e jo gypa për zbrazjen e ujit.
Reshjet e shiut kanë sjell problemet edhe në komunën e Pejës.
Në fshatrat në lugun e Baranit dhe në Çallapek është vështirësuar lëvizja me makinë për shkak të grumbullimit të ujit.
Ndryshe, Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka paralajmëruar vërshime të reja në shumë vende.
Në fakt, shumë komuna, javë më parë janë prekur shumë nga vërshimet, përfshirë edhe Drenasin