Dështimi i Kosovës për përmbushjen e reformave administrative publike, që i kushtoi mbi shtatë milionë euro, qeveria në detyrë e arsyeton me dorëheqjen e Qeverisë Haradinaj dhe zgjedhjet e parakohshme të 2019-s.
Buxheti i Kosovës kishte mundësi që të përfitonte 16.5 milionë euro nga Komisioni Evropian, deri në fund të vitit 2020, por e humbi gjysmën e kësaj shume, për shkak se nuk i përmbushi pjesën më të madhe të reformave në administratën publike.
Këto reforma kërkoheshin ndërmjet një marrëveshjeje për Mbështetje të Sektorit të Buxhetit, e realizuar në kuadër të IPA 2.
Institucionet është dashur t’i zbatojnë 23 reforma specifike për ta fituar këtë shumë, por një studim i Institutit të Kosovës për Politikat Evropiane ka gjetur se janë përmbushur vetëm 8 sosh. Kjo ka bërë që në vend të 16.5 milionë eurove përkrahje, Kosova të fitojë vetëm 9.03 milionë euro duke humbur 7.47 milionë euro nga fondet e BE-së.
Ministria e Punëve të Brendshme ka dalë me një sqarim për humbjen e shtatë milionë eurove nga ky fond.
MPB njofton se në vitin 2018 ka marrë tre milionë euro, ndërsa në vitin 2019 dështoi për shkak të siç thuhet në sqarim ” të zhvillimeve politike, përfshirë dorëheqjen e qeverisë dhe zgjedhjet e parakohshme”.
“Prandaj, në vitin 2019 Kosova arriti të përmbushë vetëm një tregues, duke arritur të zbatojë 50% të rekomandimeve të lëshuar gjatë vitit 2018 dhe 2019 nga Avokati i Popullit, e për të cilat institucionet janë përgjigjur pozitivisht. Qeveria gjithashtu përmbushi një tregues tjetër, duke miratuar Koncept Dokumentin për Reduktimin e Barrës Administrative, mirëpo për shkak se Vendimi i Qeverisë u mor në mars të vitit 2020 dhe jo gjatë vitit 2019, ai nuk u përfshi në vlerësimin pozitiv nga Komisioni Evropian duke i pamundësuar Qeverisë të kërkojë 800 mijë Euro.“
2Një tregues tjetër i rëndësishëm i reformave është racionalizimi i agjencive, ku përderisa institucionet kishin përfunduar të gjitha përgatitjet e nevojshme për procesin, vendimet kishin ngecur për arsye politike. Viti 2020 është ngrirë nga Komisioni Evropian për shkak të ndikimit të pandemisë Covid-19 dhe zhvillimeve të tjera në Kosovë që kanë ndaluar procesin e reformës”, thuhet në sqarim.
MPB po ashtu ka njoftuar se po përgatit kërkesë për zgjatje dhe rinegocim të kontratës, duke përfshirë edhe riplanifikimin e fondeve të mbetura për vitin 2018 dhe 2019.
“Këto mjete nuk janë të humbura, por mbetet të diskutohet me Komisionin Evropian nëse ato mund të ri-planifikohen”, thuhet në sqarim.