Ekspertët ndërkombëtarë që po e hetojnë prejardhjen e COVID-19 kanë hedhur poshtë teorinë që virusi ka dalë nga një laborator në Kinë.
Peter Ben Embarek, shefi i misionit të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), ka thënë se është “pothuajse e pamundur” që virusi e ka origjinën nga një laborator në qytetin e Wuhanit.
Ai ka thënë po ashtu se duhet akoma shumë punë që të identifikohet burimi i virusit, transmeton Klan Kosova.
Dr.Embarek tha në një konferencë për media se hetimi kishte zbuluar informacione të reja, por që nuk e kanë ndryshuar rrjedhën e hetimit për origjinën e virusit.
Ekspertët besojnë se ky virus ka të ngjarë ta ketë origjinën te kafshët para se të përhapet te njerëzit, por ata nuk janë të sigurt se si.
Hetimi tani mund të përqendrohet në Azinë Juglindore, ka thënë një ekspert. Ekipi i OBSH-së është aktualisht në fund të misionit të tyre hetimor.
Wuhan, në provincën qendrore Hubei të Kinës, është vendi i parë në botë ku virusi u zbulua në vitin 2019. Qysh atëherë, më shumë se 106 milionë raste me COVID-19 dhe 2.3 milionë vdekje janë raportuar në botë.