Gjermania pritet të zgjasë masën e izolimit të pjesshëm deri në fillim të muajit mars, pavarësisht pse shkalla e infektimit është duke rënë në shtetin me ekonominë më të madhe në Evropë.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel dhe kryetarët e 16 landeve, do të mblidhen më 10 shkurt për të diskutuar strategjinë e së ardhmes, teksa rriten thirrjet nga bizneset për të lehtësuar masat e izolimit.
Merkel raportohet se preferon të zgjasë masat, të cilat janë në fuqi prej muajit nëntor, dhe të cilat janë ashpërsuar në mesin e muajit dhjetor.
“Ne nuk do të fitonim asgjë nëse do të largonim izolimin para kohës”, u ka thënë Merkel pjesëtarëve të Partisë së saj Demokristiane (CDU), kanë deklaruar pjesëmarrësit e këtij takimi, transmeton rel.
Ajo besohet të ketë bërë edhe paralajmërime se shkalla e infektimit mund të rritet sërish nëse izolimi hiqet shpejt.
Qeveria ka vënë synim që duhet të raportohen 50 raste për 100,000 banorë, në mënyrë që të hiqet izolimi.
Aktualisht, në këtë shtet raportohet për 73 persona në 100,000 banorë, gati gjysmë më pak sesa në mesin e muajit janar.
Megjithatë, shkalla e vdekshmërisë vazhdon të mbetet e lartë, rreth 500 në ditë.
Ky debat vjen teksa Evropa vazhdon të përballet me vështirësi për vaksinim të shpejtë, në mungesë të vaksinave.
Variantet që përhapen më lehtë, në anën tjetër, kërcënojnë përparimin e vogël që është bërë kundër pandemisë.
Një mori studimesh kanë qenë gjetur se një numër vaksinash janë më pak efektive kundër të ashtuquajturit variant jugafrikan i koronavirusit