Emiratet e Bashkuara Arabe po festojnë misionin e parë të tyre në Mars.
Ato kanë vendosur një sondë, të quajtur Shpresa, në orbitën përreth planetit, duke u bërë entiteti i pestë që e bën këtë, pas SHBA-së, Bashkimit Sovjetik, Evropës dhe Indisë.
Anija kozmike, e cila është larguar nga Toka shtatë muaj më parë, duhej të bënte një manovër frenimi, për t’u siguruar se do të kapej nga graviteti i Marsit.
Shkencëtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe tani mund të studiojnë atmosferën e planetit.
Sateliti i tyre bart tre instrumente që, përveç tjerash, do të vëzhgojnë se si atomet neutrale të hidrogjenit dhe oksigjenit – mbetjet nga uji dikur i bollshëm i Marsit – rrjedhin në hapësirë.
“Ne donim të arrinim në Mars. Unë jam vërtet mirënjohëse. Më duket sikur një peshë, prej shtatë vjetësh, është hequr nga supet e mia”, tha Shkëlqesia e saj, Sarah Al Amiri, ministre e Emirateve të Bashkuara Arabe për Teknologji të Përparuar dhe kryetare e Agjencisë Hapësinore të Emirateve të Bashkuara Arabe.
Të mërkurën, në orbitën e Marsit pritet të arrijë edhe sonda e Kinës, Tianëen-1, ndërsa javën e ardhshme, më 18 shkurt, edhe një anije e SHBA-së.