Kandidati për kryeministër, Albin Kurti dhe presidentja në detyrë Vjosa Osmani, lista e së cilës garon së bashku me Vetëvendosjen në zgjedhjet e 14 shkurtit kanë marrë pjesë në një diskutim ku kanë shpalosur prioritetet e tyre për zhvillimin ekonomik.
Osmani ka thënë se prioritet e kanë luftimin e korrupsionit dhe për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të paligjshme, shkruan Reporteri.net.
Osmani ka thënë se pasuria e paligjshme që konfiskohet duhet të drejtohet kryesisht në investim në fushën e sundimit të ligjit.
“Sa i përket luftimit të korrupsionit, siç e dini një nga iniciativat në të cilat është punuar më së shumti ka të bëjë me konfiskimin e pasurisë së paluajtshme, pasurisë së paligjshme në fakt. Një ligj ekziston, mirëpo ai kurrë nuk ka qenë i përshtatshëm për rrethanat e Kosovës, që dëshmohet edhe me faktin që edhe kur ka vendime për konfiskimin e pasurisë së paligjshme, shumica prej tyre nuk janë duke u zbatuar. Një gjë që duhet ta bëjmë e që duhet të marrim shembull vendet e tjera është që pasuria e paligjshme, të hollat që konfiskohen, pasuria e paligjshme që konfiskohet duhet të drejtohet kryesisht në investim në fushën e sundimit të ligjit”, është shprehur Osmani. /Reporteri.net