Të enjten do të mbahet konferenca e tretë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit, Jakup Krasniqit në Gjykatën Speciale të Hagës,
Kjo konferencë pritet të nis në ora 11:00 dhe siç thuhet në faqen zyrtare të Dhomave të Specializuara dhe Zyra e Prokurorit tё Specializuar tё Kosovёs, përveç nëse specifikohet ndryshe, seancat publike transmetohen përmes internetit me një vonesë prej 45 minutash.
Konferenca mbi ecurinë e çështjes gjyqësore parashihet me rregullën 96 të Rregullores së Procedurës dhe Provave të DHSK-së.
“(1) Gjykatësi i procedurës paraprake mbledh një konferencë mbi ecurinë e çështjes gjyqësore sa më shpejt që të jetë e mundshme pas paraqitjes së parë të të akuzuarit dhe më pas nëse del e nevojshme për: (a) organizimin e shkëmbimeve midis palëve dhe, kur është e zbatueshme, të mbrojtësit të viktimave për të mundësuar përgatitje të shpejtë për gjykimin; (b) ndërmarrjen e hapave që mundësojnë çdo përgatitje të nevojshme prej palëve në mënyrë të zellshme dhe në kohë; dhe (c) rishikimin e ecurisë së çështje gjyqësores dhe që palëve, e kur është e zbatueshme mbrojtësit të viktimave, t’u jepet mundësia e ngritjes së problemeve në lidhje me çështjen gjyqësore”, thuhet në pikën e parë të kësaj rregulle.
“(2) Me pëlqimin me shkrim të të akuzuarit që jepet pas këshillimit me mbrojtësin e vet të specializuar, konferenca për ecurinë e çështjes gjyqësore në bazë të kësaj rregulle mund të mbahet: (a) në praninë e të akuzuarit dhe me pjesëmarrjen e mbrojtësit të specializuar nëpërmjet videokonferencës; (b) në praninë e mbrojtësit të specializuar dhe me pjesëmarrjen e të akuzuarit nëpërmjet videokonferencës; dhe (c) në mungesë të të akuzuarit me praninë e mbrojtësit të specializuar, ose pjesëmarrjes së mbrojtësit të specializuar nëpërmjet videokonferencës” , thuhet tutje në pikën e dytë.
Më 18 nëntor ishte mbajtur konferenca e parë mbi ecurinë e çështjes, kurse më 9 nëntor, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë.
Njëjtë është deklaruar edhe ish-kreu i PDK-së, Kadri Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Selimi më 11 nëntor.
Ndërkaq, aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020.