“…mirëpo kjo nuk nënkupton që ne nuk duhet të shkojmë nga një sistem i Pablo Escobarit që me të drejtë qytetarët e kanë krahasuar, në një sistem të Hugo Chavezit”. Kështu kishte deklaruar ish-kandidatja e Lidhjes Demokratike të Kosovës për kryeministre Vjosa Osmani në një intervistë të sajën në T7 për bashkëpunëtorin e saj tashmë të ngushtë, liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Por mbrëmë, Osmani e ka mohuar një gjë të tillë. Ajo në një intervistë në Klan Kosova është shprehur se paragjykimet për Kurtin i ka pasur për shkak të ndikimit nga Lidhja Demokratike e Kosovës e gjithashtu ka thënë se nuk e ka krahasuar Kurtin me Chavezin, por ka përmendur sistemet politike të ndryshme.
E lidhur me këtë, lajmi.net ka kontaktuar me kreun e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i cili ka thënë se cilësime të tilla (i referohet deklaratës së Osmanit për krahasimin Kurti – Chavez), nuk janë në deklaratat e LDK-së e as të Mustafës së kryetar i partisë. Mustafa ka mohuar që Osmani është frymëzuar nga LDK-ja për këto deklarata.
“Cilësimet e tilla nuk i gjeni në asnjë deklaratë të LDK-së dhe në deklarimet e mija si kryetar i LDK-së. Se kah është frymëzuar Vjosa është çështje e saj, por jo nga LDK”, tha Mustafa.
Mustafa më tutje është shprehur se e ka cilësuar VV-në si ekstreme të majtë, të dhunshme dhe parti me orientim totalitar, por sa i përket Hugo Chavezit është deklaratë e Vjosa Osmanit, që sipas Mustafës tani është penduar sepse po frikësohet nga “prijësi suprem”.
“Ajo është shprehur më herët se ka bashkëpunuar gjatë me njerëz të VV-së. Unë e kam cilësuar VV-në si ekstreme të majtë, të dhunshme, parti me orientim totalitar. Por te Hugo Chavezi e gjejmë Vjosën, por tani është penduar sepse frikësohet nga prijësi suprem.”, tha Mustafa.
Madje, Mustafa ndryshimin e qëndrimeve të Osmanit e ka komentuar edhe si pragmatizëm të saj karshi mundësisë për t’u bërë presidente.
“Qysh me i thënë shefit të saj Hugo Chavez edhe me pritë të bëhet presidente?!”, tha Mustafa.
Në fund, ai ka ironizuar me Osmanin duke pohuar “ndoshta e ka thënë në ëndërr”, dhe gjithashtu me ironi ka thënë se për Osmanin “Për të gjitha, fajtore është LDK-ja”.
“Ndoshta edhe nuk e ka thënë, ndoshta ka thënë në ëndërr. ‘Për të gjitha, fajtore është LDK’,”, tha Mustafa.
Në anën tjetër, në intervistën në fjalë, Osmani kishte deklaruar se Kurtit i ka mbetur vetëm dëshira për pushtet dhe se i ka ndryshuar të gjitha parimet. Madje, Osmani ka thënë se Kurti duhet të mësohet ta dojë Kosovën dhe ta pranojë si projekt të përhershëm.
“Mes meje dhe z.Kurti është z.Kurti ai që e konsideron PDK-në si konstante, ndërmjet meje dhe z.Kurti është z.Kurti ai që sot thotë do të bashkëpunojë me Hashim Thaçin, mes meje dhe z.Kurti nuk kam qenë unë në këtë studio por ka qenë ai që ka thënë se qeverinë e ardhshme do ta ndërtojë me eksponentë të PDK-së dhe AAK-së. Z.Kurti duhet ta pranojë Kosovën si projekt të përhershëm, duhet ta dojë republikën e Kosovës siç e dua unë edhe kur jam në opozitë edhe kur jam në pushtet. Unë shpresoj që do të ndryshojë sepse është e domosdoshme, sepse në fakt ka ndryshuar në gjithçka, e vetmja që i ka mbetur sepse për të gjitha kartat tjera ka hequr dorë, mirëpo kjo nuk nënkupton që ne nuk duhet të shkojmë nga një sistem i Pablo Escobarit që me të drejtë qytetarët e kanë krahasuar, në një sistem të Hugo Chavezit, sepse për fat të keq z.Kurti dhe partia e tij po i helmojnë qytetarët me shpifje shumë të ulta.“, kishte thënë Osmani në intervistën e saj në T7.