Dhuna e ushtruar ndaj qytetarëve të Kosovës nga ana e policëve sa vjen e po shtohet dita-ditës.
Një rast i tillë kishte ndodhur edhe në fund të muajit janar kur polici Naim Krasniqi dyshohet se i kishte tejkaluar autorizimet e tij dhe kishte keqtrajtuar tre qytetarë, për shkak se, sipas tij, ata e kishin ngacmuar gruan e tij, rast për të cilin u arrestua sot.
Burime të afërta me viktimat deklaruan se përderisa tre viktimat ishin në rrugë, afër tyre kishte kaluar bashkëshortja e policit, ndërkaq prapa saj, diku rreth 50 metra ka qenë edhe bashkëshorti i saj. Ai fillimisht e ka gjurmuar tabelën e veturës së viktimave dhe përmes tabelës e ka identifikuar pronarin e veturës dhe i ka urdhëruar që të paraqiten në stacionin policor në Lipjan.
Të tre viktimat e kanë zbatuar ankesën e tij duke mos ditur se për çka janë ftuar dhe me të hyrë në stacionin e policisë, janë keqtrajtuar rëndë nga polici. E gjithë ngjarja dyshohet se ka ndodhur më 29 janar 2021 ndërsa është raportuar më 1 shkurt.
Kujtojmë që 02 Press ditëve të fundit ka publikuar ekskluzivisht videon dhe detajet e rastit të një polici që kishte xhiruar veten duke e goditur një qytetar që e kishte ndalur për kundërvajtje, e më pas edhe për rastin e keqtrajtimit të një qytetari nga zyrtarë policor në Gjakovë, pasi kishte kaluar në semaforin e kuq.