Që nga data e aplikimit e deri më tash, 102 mijë e 100 qytetarë janë regjistruar dhe verifikuar në KQZ nga shtetet e jashtme për të votuar për zgjedhjet e 14 shkurtit.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, ka bërë të ditur se është një numër rekord i aplikacioneve si dhe ka treguar se si është zhvilluar ky proces.
“Në këtë proces zgjedhor kemi një numër rekord të qytetarëve që janë regjistruar suksesshëm nga jashtë për të votuar, për dallim nga herët e kaluara. Numri i atyre që kanë arritur të regjistrohen si votues jashtë vendit është 102,100 dhe të cilët kanë plotësuar kriteret e zotësisë juridike”, tha Elezi.
Sipas Elezit, në total numri i aplikacioneve nga jashtë vendit ka qenë 130 mijë e 168 por që vetëm 102 mijë e 100 i kanë plotësuar kriteret ligjore.
“Pra janë refuzuar diku 28,068 aplikacione për arsye që mund të ndahen në dy grupe: 15,933 janë refuzuar për shkak se kanë dërguar vetëm formularin e aplikimit për regjistrim, ndërsa 11, 164 aplikues janë refuzuar për shkak se nuk e kanë dëshmuar identitetin ose zotësisë juridike”, tha ndër të tjera Elezi në Klan Kosova.
Votimi për qytetarët jashtë vendit ka filluar më 2 shkurt dhe do të përfundojë më 12 shkurt, sipas ligjit në fuqi.
Ligji obligon që fletëvotimet të pranohen nga KQZ-ja 24 orë para ditës së zgjedhjeve.