Por Kurti, vazhdon të mbajë numrin 1 në listën e LVV-së dhe nuk është zëvendësuar me asnjë kandidat tjetër nga kjo listë.
Por a do të jenë të vlefshme për Lëvizjen Vetëvendosje votat që shkojnë në emër të Kurti pasi i njëjti nuk është certifikuar për të kandiduar në zgjedhjet e 14 shkurtit ?
Njohësi i çështjeve juridike, Skënder Musa, në një prononcim për “TelegramiSot” ka thënë se nëse Kurti nuk është hequr nga lista e kandidatëve për deputetë nga ana e KQZ-së atëherë vota e tij nuk numërohet për Lëvizjen Vetëvendosje dhe shpallet e pavlefshme.
“Unë mendoj se nëse nuk është heq nga KQZ-ja emri i Albin Kurtit, vota që shkon për Albin Kurtin nuk numërohet për Lëvizjen Vetëvendosje, mund të shpallet edhe e pavlefshme. Mirëpo besoj që KQZ-ja i ka pastru listat dhe kandidati që ka qenë pas zotit Kurti ka mundur të jetë bartës i listës. Përndryshe nuk është e mundur që në lista zyrtare të jetë një kandidat të cilit i’u ka pamundësuar që të jetë në listë të kandidatëve për shkak të dispozitës ligjore neni 29 të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithme” deklaroi Musa për TelegramiSot.
Lëvizja Vetëvendosje nuk ka zëvendësuar në listën e saj dy kandidatët për deputet të pacertifikuar nga KQZ-ja, bartësin e listës, Albin Kurtin dhe kandidaten për deputete, Albulena Haxhiu. Ndërkohë PZAP-ja i ka lejuar kandidimin dy kandidatëve të tjerë të cilët kanë patur probleme me ligjin, Labinotë Demi Murtezaj dhe Liburn Aliu.