Kosova dhe Izraeli formalizuan marrëdhëniet diplomatike, vendim i cili nga të dyja shtetet u cilësua si “historik”.
Në një ceremoni virtuale të mbajtur të hënën, ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës Meliza Haradinaj-Stublla dhe ministri i Punëve të Jashtme të Izraelit, Gabriel Ashkenazi nënshkruan dokumentin ku thuhet se të dyja shtetet vendosin marrëdhënie diplomatike, me qëllim që të rrisin bashkëpunimin në shumë sfera.
Njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese në vend, Blerim Burjani, ka folur për njohjen Izraeli, e cila u formalizua sot, ku ka deklaruar se diplomacia e Kosovës është larg e përgatitur për të arritur deri te njohjet ndërkombëtare.
“Shtetet e Bashkuara të Amerikës e kanë meritën që Izraeli e njohu Kosovën. Politika dhe diplomacia e Kosovës është larg shumë e të qenurit e aftë e përgatitur për të arritur deri te njohjet ndërkombëtare ,deri më tash Kosova u përkrah nga miqt e saj”, ka thënë juristi Burjani, për gazetën “Telegramisot”.
Ndërsa, i pyetur se e kujt mund të jetë merita kryesore për sigurimin e kësaj njohje, Burjani ka thënë se për të gjitha njohjet, meritat u takojnë vetëm miqve të Kosovës.
“Njohjet direkt, të gjitha kanë buruar nga miqtë tanë; Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Britania e Madhe dhe disa shtete evropiane kanë merita të mëdha”, ka thënë njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese në vend, Blerim Burjani.