Kryeministri në detyrë i Kosovës, Avdullah Hoti, ka njoftuar se Qeveria do të ndajë paga shtesë për mësimdhënësit.
Hoti ka takuar sot përfaqësuesit e Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, të cilëve ua ka dhënë lajmin se Qeveria në detyrë do të ndajë paga shtesë për punëtorët e arsimit.
“Kryeministri Hoti, fillimisht e ka përgëzuar kryetarin e SBASHK-ut Rrahman Jasharaj, për punën e palodhshme dhe sfiduese të arsimtarëve në kushte të pandemisë, si dhe e ka siguruar që pagesa shtesë për punëtorët e arsimit do të kryhet në dy këste. Këstin e parë do ta marrin me pagën e muajit shkurt, ndërsa këstin e dytë me pagën e muajit maj”, thuhet në nj njoftim të zyrës për informim të Qeverisë.
Po ashtu, është bërë e ditur se është folur edhe për Kontratën e Re Kolektive.
“Për shumën e pagës shtesë, Ministria e Arsimit, SBASHK-u dhe Ministria e Financave do të dakordohen në përputhje me mundësitë buxhetore. Në takim me përfaqësuesit e SBASHK-ut, Kryeministri në detyrë Hoti, ka biseduar edhe për Kontratën e re Kolektive, e cila pritet të finalizohet këtë të premte”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, SBASHK’u kishte paralajmëruar greva nëse Qeveria nuk i plotëson kërkesat e mësimdhënësve.
Sindikata ka kërkuar nga 100 euro shtesë për secilin punëtor të arsimit, për shkak të rrezikshmërisë së prekjes nga koronavirusi.