Një grua e moshës 55-vjeçare ka vdekur të hënën në Spitalin e Përgjithshëm të Pejës. Ajo ishte operuar nga holocista (gurët në idhëz). Derisa po dilte nga spitali, i është keqësuar gjendja dhe është rrëzuar. Për këtë rast kanë dhënë nga spitali, Prokuroria dhe Policia e Pejës
Ishte operuar në Spitalin e Pejës për problemin që kishte me gurët në idhëz.
Nga Spitali i Përgjithshëm në Pejë kanë thënë për Gazetën Express se gjendja e saj ishte e mirë pas operimit.
Zyra për informim e këtij spitali ka deklaruar se viktimës i është përkeqësuar gjendja derisa ishte duke dalë nga reparti.
“Spitali i Përgjithshëm në Pejë me keqardhje konfirmon se dje ka ndodhur një rast i vdekjes për të cilin keni parashtruar pyetje. Lidhur me rastin e djeshëm të vdekjes mund të ju njoftojmë se Pacientja është operuar nga holocista, dhe trajtimi pas operativ ka shkuar mirë e pa komplikime. Me rastin e lirimit duke dalur nga Reparti situata i është përkeqësuar. Personeli Mjekësorë ka provuar ta ranimojë por me gjithë përpjekjet fatkeqësisht pa sukses dhe pacientja ka vdekur”, thuhet në përgjigjen e Spitalit.
Po ashtu, është bërë e ditur se stafi mjekësor ka lajmëruar organet e rendit lidhur me këtë rast.
“Personeli Mjekësor ka njoftuar Policinë që së bashku me Prokurorinë kanë dalur në vendin e ngjarjes dhe tashmë janë këto organe që përcaktojnë arsyet e vdekjes”, kanë deklaruar nga spitali.
E për vdekjen e 55-vjeçares tashmë kanë nisur hetimet.
Shkodran Nikçi, zëdhënës i Prokurorisë Themelore në Pejë, ka deklaruar për Express se trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
“Lidhur me këtë çështje, prokurorja pasi që ka pranuar informatën ka dalë në vendin e ngjarjes dhe me vendim të prokurores së shtetit, viktima është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore. Derisa të vjen raporti i Mjekësisë Ligjore, janë duke u ndërmarrë veprime për hetimin e kësaj vdekjeje”, deklaroi Nikçi.
Për këtë rast, kanë folur edhe nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë.
“Më datën 18 janar, rreth orës 11:15 policia është informuar që në Spitalin Rajonal të Pejës është një person pa shenja jete. Njësitë relevante menjëherë i janë përgjigjur vendit të ngjarjes dhe aty kanë kuptuar se viktima pasi që i ishte nënshtruar operacionit ishte liruar nga spitali, mirëpo të njëjtës i është përkeqësuar gjendja në objektin e spitalit. Ajo ka ndërruar jetë. Këtë e ka konstatuar ekipi mjekësor”, ka thënë zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, Driton Rugova.