Punëtorët e qendrës së thirrjeve në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve mund të kenë filluar punën, por në Toronto të Kanadasë ende është kohë e gjumit.
Për këtë arsye, mërgimtari Valon Mehani të dielën nuk e dëgjoi thirrjen për verifikim të votës së tij, në 3 e 53 të mëngjesit. Koha lokale atje është gjashtë orë prapa asaj në Kosovë.
Mehani tregon se më pastaj ka provuar disa herë ta thërrasë të njëjtin numër, por që nuk ka marrë përgjigje.
Por jo të gjithë e patën telashe ta konfirmojnë pjesëmarrjen nga distanca në zgjedhjet e 14 shkurtit. Fadil Miftari nga Zvicra shpjegon se thirrja ishte e shkurtë 28 sekonda, dhe pyetjet e telefonuesit të thjeshta.
Sipas udhëzimit të miratuar nga KQZ, thirrja e parë realizohet në orarin e punës sipas kohës lokale në Kosovë. Ndërsa për ata që nuk janë përgjigjur, tentohet gjatë orarit sipas kohës lokale të vendbanimit të aplikuesit. Kurse në herën e tretë provohet pas orarit të punës, në kohën lokale të aplikuesve.
Ka pasur ankesa se mërgimtarët kanë pranuar edhe thirrje anonime, por nga KQZ janë sqaruar se gjithmonë shfaqet prefiksi i Republikës së Kosovës +383.