Policia e Durrësit ka arrestuar shoferin e kamionit, i cili ditën e djeshme aksidentoi për vdekje punonjësen e Portit të Durrësit, 25-vjeçaren Arkineda Haskasa.
Ngjarja ndodhi dje rreth orës 15:30 brenda ambienteve të Portit, ku viktima punonte si punonjëse sigurie.
Sipas dëshmitarëve, punonjësja po qëndronte në sheshin e portit pasi ishte në detyrë ndërsa kamioni i tonazhit të rëndë e ka tërhequr për disa metra zvarrë atë.
Policia informon se, drejtuesi i kamionit është një 39-vjeçar nga Kosova.
Policia: Specialistët e Qarkullimit Rrugor në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës arrestuan në flagrancë shtetasin F. K., 39 vjeç, banues në Malishevë, Kosovë, pasi më datë 07.01.2021, në ambientet e portit, duke drejtuar mjetin tip “Man” (trailer), ka aksidentuar shtetasen A. H., 25 vjeçe, e cila për pasojë ndërroi jetë.
Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, për veprime të mëtejshme.