Lëvizja Vetëvendosje ka reaguar edhe njëherë pas publikimit të aktgjykimit të plotë të Gjykatës Kushtetuese për rastin e deputetit Etem Arifi. Në reagimin e kësaj partie thuhet se kryetarit të partisë, Albin Kurti nuk i mohohet dhe as nuk ka ndonjë pengesë që të jetë kandidat për deputet apo për kryeministër.
Nga kjo parti janë zotuar se shpejt do të mblidhet Këshilli i Përgjithshëm dhe të shpallet kandidatura.
“Gjykatës iu jemi drejtuar për paligjshmërinë e Qeverisë dhe mandatin e Etem Arifit si i dënuar me burgim. Gjykata i konfirmoi në plotni pretendimet tona. Qeveria Hoti ishte e paligjshme. Mandati i të dënuarit me burgim ishte i paligjshëm. Kryetarit të Lëvizjes VETËVENDOSJE! nuk i mohohet dhe as nuk ka ndonjë pengesë që ai të jetë kandidat për deputet apo kryeministër.
Shumë shpejtë Këshilli i Përgjithshëm do të mblidhet e kandidatura do të shpallet. 14 shkurti do të jetë ditë kremte sepse atë ditë përfundon politika e vjetër dhe qeverisja e keqe, e fillon ajo për të cilën qytetarët tashmë e kanë ndarë mendjen, dhe atë me referendum popullor”, thuhet në reagimin e tyre.
Ekspertë dhe njohës së fushës së drejtësisë kanë mendime ndryshe pas vendimit të Kushtetueses. Disa thonë se çdo personi që është i dënuar në tri vjetët e fundit me vendim të formës së prerë i ndalohet kandidimi në këto zgjedhje, përfshirë edhe Albin Kurtin.
Albin Kurti është dënuar me burgim me kusht për hedhje të gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës.