15 persona janë dërguar sot për trajtim shëndetësorë në Klinikën Emergjente në QKUK, pas shpërthimit të një bombole në një restorant në Ferizaj.
Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani ka dhënë informacione për gjendjen e personave të lënduar.
Në një konferencë të mbajtur bashkë me ministrin e Shëndetësisë, Armend Zemaj, ai tha se 15 persona kanë kërkuar trajtim në këtë klinikë.
Lenjani tregoi se në mesin e të lënduarve ka qenë edhe një 20 vjeçare e cila ka pasur djegie në fytyrë, kokë, qafë e në pjesë të tjera.
Ai tha se për shkak të djegieve që ka marrë, ajo do të dërgohet për trajtim të mëtutjeshëm në Klinikën e Ortopedisë.
“15 të lënduar si pasojë e eksplodimit të bombolës kanë ardhur në klinikë. 3 pacientë janë në kujdesin intensiv. Ndërsa, një 20 vjeqarje e cila ka diegie të fytyrës, kokës, qafës dhe pjesëve tjera, do të dërgohet për trajtim në Klinikën e Ortopedisë. 10 pacientë po qëndrojnë ende në klinikë, pasi janë duke u trajtuar”, shtoi ai.