Gjykata Themelore e Pejës ka shqiptuar masën e paraburgimit prej 30 ditësh për të dyshuarin Melos Rrustemaj, i cili mbrëmjen e të shtunës ka plagosur tre persona.
Në njoftimin e Gjykatës është bërë e ditur se ngjarja kishte ndodhur pas një përleshjeje ndërmjet viktimave dhe të dyshuarit.
“Me datë 02.01.2021, rreth orës 21:02 minuta, në Pejë, mu para shtëpisë së të dëmtuarve, me dashje e për shkak të mosmarrëveshjeve të mëparshme dhe të atëçastshme mes të pandehurit dhe të dëmtuarve SH.D, A.D dhe F.D, i pandehuri ka tentuar ta privoj nga jeta të dëmtuarin A.D, në atë mënyrë që pasi që vjen deri te fjalosja dhe përleshja mes të pandehurit dhe të dëmtuarve, i pandehuri në një moment nxjerr pistoletën nga brezi dhe shtie në drejtim të dëmtuarve duke iu shkaktuar lëndime trupore të rrezikshme për jetën, e pastaj largohet nga vendi i ngjarjes”, thuhet në njoftim.
Me këto veprime, M.Rr, ka kryer veprat penale “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Kontroll apo posedim i paautorizuar i armëve”.
Gjykata po ashtu ka bërë të ditur se gjatë procedurës hetimore do të dëgjohen viktimat dhe do të shikohen video-incizimet.
“Të pandehurit i është caktuar masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej një (1) muaji pasi që gjykata vlerësoi se ekziston dyshimi se i njëjti i ka kryer veprat penale për të cilat dyshohet dhe se gjatë procedurës hetimore do të dëgjohen tre të dëmtuarit e pas shikimit të video incizimit eventualisht mund të dëgjohet edhe ndonjë dëshmitar që ka qenë prezent në vendin e ngjarjes, ashtu që me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri ekziston rreziku se i njëjti mund të ndikojë në drejtim të ndryshimit të deklaratave të tyre, e me këtë të pengohet rrjedha normale e procedurës”, thuhet në njoftim.
“Gjykata, caktimin e masës së paraburgimit e arsyeton edhe me faktin se me gjetjen e të pandehurit në liri, ka arsye për të besuar se i njëjti mund të asgjësojë, fshehë apo të ndryshojë provat e veprës penale. Gjithashtu, pesha e veprave të kryera penale, mënyra dhe rrethanat e kryerjes së veprave penale në qendër të qytetit ku frekuentohet nga një numër i madh i njerëzve si dhe raportet e acaruara mes të pandehurit dhe të dëmtuarve, tregojnë ekzistimin e rrezikut real se me gjetjen e mundshme të pandehurit në liri, i njëjti mund të përfundoj veprën e tentuar penale apo të kryej ndonjë vepër të natyrës së njëjtë”, thuhet në deklaratëtn e Gjykatës.
Ndërkohë, rasti që ndodhi mbrëmjen e së shtunës në Pejë, la të plagosur babë, bir e nip.