Filozofi dhe analisti Blerim Latifi ka thënë se pritja që ushtrueja e detyrës së presidetit, Vjosa Osmani disa asamblistëve që iu bashkuan listës së saj në Presidencë, tregon se sipas tij, s’do të ketë dallim ndërmjet politikanëve të rinj dhe atyre të vjetër, shkruan Express.
Majde, sipas Latifit kjo tregon se politikanët e rinj mund të jenë “edhe më të paskrupullt”.
“Shndërrimi i zyrës më të lartë të shtetit në zyrë partiake, na tregon se të ashtuquajturit “politikanë të rinjë” do të jenë njësoj si “të vjetërit”, mbase edhe më të paskrupullt”, shkruan Latifi.
Ushtruesja e detyrës së presidentit, Vjosa Osmani, pothuajse e ka zyrtarizuar ndarjen prej LDK-së. Ajo do të duhet t’i shpallë zgjedhjet brenda pak ditësh, ndërsa ato mund të mbahen në fund të janarit ose në fillim të shkurtit.
Osmani edhe vetë do të marrë pjesë në këto zgjedhje, ndërsa ka thënë se do të garojë me një iniciativë të sajën. Kësaj iniciative të enjten i janë bashkuar gjashtë asamblistë të LDK-së në Ferizaj. Ndoshta në mungesë të një zyre partiake, Osmani i ka pritur ata në zyrën e saj në Presidencë.
Hysnije Mustafa-Shamolli, Balton Dërguti, Ekrem Mustafa, Hesat Shatrolli, Burim Karameta e Ridvan Nebihu janë asamblistët që kanë shkuar dje në zyrën e Osmanit në Presidencë, për çështje krejtësisht partiake.