Nuk do të ketë masa lehtësuese gjatë fundvitit, kështu bën të qartë ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.
Zemaj thotë se nuk do të ketë zgjatje të orarit pavarësisht se disa komuna kanë lëvizur pozitivisht dhe nuk janë më në zonë të rrezikshmërisë. Zemaj thotë edhe se po tentohet të sigurohen 1.2 milionë vaksina antivCOVID-19.
“Duhet të jemi të sinqertë. Ne bëjmë vlerësime javore, rritja e virusit në vendet perëndimore dhe ato të rajonit është shqetësuese dhe po ashtu edhe numri i vdekjeve…Do të ndërmarrim masa kufizuese. Me datën 18 përfundon edhe pjesa e parë e vitit shkollor dhe do të shohim se në cila segmente tjera mund të arrijmë që ta parandalojmë grumbullimin krahas masave që kemi fuqi. E them edhe sot, nuk do të ketë lehtësim të masave do të ketë disa kufizime. Nuk do të ketë as zgjatje të orarit pavarësisht që disa komune kanë lëvizur pozitivisht, kanë kaluar nga zona e rrezikshmërisë”, tha Zemaj në RTK.
Ministri Zemaj thotë edhe se vetëm gjatë katër javëve janë më shumë se një persona që janë shtruar në spitalet e vendit.
“Vetëm gjatë këtyre katër jave kemi më shumë se një mijë njerëz që janë të shtruar në spitalet tona, përjashtuar qendrat kryesore të mjekësive familjare, kemi 12-13 mijë që janë infektuar pavarësisht që shumica prej tyre që nuk kanë simptoma ose kanë simptoma të rralla dhe nuk i nënshtrohen terapisë së rëndë, mund të ketë edhe raste të caktuara që kanë hasur në vështirësi qoftë në marrjen e ndonjë shërbimi ne kërkojmë mirëkuptimin e tyre. Ne jemi duke jetuar bashkërisht në këto kushte, këto rrethana dhe në këto kapacitetet që ka Kosova. Nuk është vetëm një segment shëndetësia apo ministria ka edhe segmentet tjera meqë kërkojnë shërbime qytetarët tonë edhe ato sociale, ekonomike e arsimore që kanë një kosto të madhe të ndarjes buxhetore. Edhe pse ministria e Shëndetësisë është mbështetur me fonde”, tha Zemaj.
Ndërkohë që Zemaj ka folur edhe për vaksinat. Ai tha se sigurimi i vaksinave është një nga prioritetet dhe se shton se janë duke tentuar që të sigurojnë 1.2 milionë vaksina. Ndërsa i pyetur se kur do të vijnë vaksinat në Kosovë ai tha se gjithçka varet nga prodhuesit.
“Ajo është tema aktuale dhe kjo është prioritet jo vetëm i yni por i gjitha shteteve., vaksina është shpresa kryesore, nuk po them e vetme se virusi mund të ketë aspektin tjetër të trajtimit se si do të ecë apo si do të trajtohet. Ne kemi një pjesë të siguruar të kësaj vaksine, unë kam nënshkruar aplikacionin, është një 20 përqindsh që ndahet edhe pse është në pjesën tjetër të vitit nga Aleanca Kovaks, pjesa tjetër duhet të sigurohet dhe jemi duke përdorur disa rrugë alternative që detyrimisht ta kemi për qytetarët. Problemi është edhe nga ata vetë që e prodhojnë dhe e licencojnë si vaksinë. Atë që mund ta them është se jemi në rrugë të mirë, jemi në komunikim të mirë me shtet dhe partnerë serioz të cilat janë pjesë e kësaj blerje dhe përmes komunikimit të qeverisë dhe timit si ministër i shëndetësisë por edhe miqve të tjerë që na ndihmojnë, besojmë që qytetarët tonë do të jenë në aspektin e barabartë të marrjes së kësaj vaksine sikurse vendet tjera”, potencoi Zemaj.