Ish-Sekretarja Amerikane e Shtetit Madeleine Albright, në konferencën e sotme të Komitetit për Punë të Jashtme të Dhomës së Përfaqësuesve në SHBA, ka folur për Gjykatën Speciale pas pyetjes që i është drejtuar nga kryetari i këtij komiteti Eliot Engel.
“Nuk po e ekzagjeroj kur po them se sa shumë kohë, kur isha në Kombet e Bashkuara dhe më pas si Sekretare e Shtetit, kemi kaluar duke u marrë me çështjen e Ballkanit. Një nga votat e mia të para në Kombet e Bashkuara ishte për krijimin e Tribunalit për Krime Lufte për ish-Jugosllavinë. Është fakt që Gjykata Speciale e Kosovës tani po merret me atë që ata po thonë se janë krime lufte që janë kryer”.
Lexo Edhe:
894 personave iu është konfirmuar statusi i viktimës së dhunës seksuale, 31 prej tyre burra
Albright ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të përpiqen që të komunikojnë dhe të zgjidhin çështjet e pazgjidhura së bashku.
“Kemi pasë gjithmonë probleme në përpjekjen për të treguar rolin e serbëve në pastrimin etnik. Duhet të shohim me shumë kujdes se çfarë mund të bëjë ligji, sepse është e mundshme që të identifikohet faji individual dhe jo faji kolektiv. Mendoj që duhet të theksohet se vendet e Ballkanit që komunikonin me njëra-tjetrën duhet ta bëjnë sërish këtë dhe jo të vendosin gjithçka në kontekstin e konfliktit etnik, por të përpiqen të zgjidhin disa probleme së bashku”.
Pjesë e këtij paneli ishte edhe Kryetari i Komitetit për Punë të Jashtme në Kongresin e SHBA-së, Eliot Engel, teksa ka thënë se pavarësia e Kosovës është e palëkundshme.
“Kosova është vend i pavarur për mbi një dekadë. Kosova i është bashkuar Bankës Botërore dhe FMN-së, dhe njihet nga shumë vende të njohura. Është Serbia që duhet të lëvizë, Kosova është e pavarur kjo nuk zhbëhet”, është shprehur Engel.