Është zbardhur pazari i mesnatës së 3 qershori mes ish-presidentit Hashim Thaçi, kryetarit të AAK-së dhe deputetit Haxhi Shala, pas të cilit ky i fundit ndryshoi qëndrim duke dhënë votën vendimtare për qeverinë Hoti. Shalës ia kanë shpërblyer djalin me një nga postet më të rëndësishme në diplomaci, nëpërmjet një procesi që është tentuar të mbahet fshehtë.
Pa asnjë ditë përvojë pune në shërbimin e jashtëm, Flakron Shala është emëruar Konsull i Përgjithshëm në Republikën e Çekisë, me seli në Pragë.
Mbështetur në dokumentet që ka siguruar “Koha”, emërimi është bërë me dekret të presidentit Thaçi pas rekomandimit të Ministres së Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Meliza Haradinaj, tani bashkëpartiake me Shalën.
Në shkresën dërguar presidentit me datë 28 shtator, Haradinaj i rekomandon presidentit ta dekretojë djalin e deputetit.
“Duke shprehur konsideratën më të lartë për ju dhe punën tuaj, në bazë të nenit 84 (paragrafi 25) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe nenit 2 (paragrafi 7.10) të Ligjit Nr. 03/L-207 për Ndryshimin dhe Plotësimin e Ligjit Nr. 03/L-044 për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik të Republikës së Kosovës, ju drejtohem për të dhënë rekomandimin për emërimin e z. Flakron Shala, në pozitën e Konsullit të Përgjithshëm të Republikës së Kosovës në Pragë/Republika e Çekisë”, shkruan në letrën e Haradinaj dërguar Thaçit.
Ndërkaq me datën 20 tetor, ish-presidenti Thaçi e firmos dekretin nëpërmjet të cilit obligon ministrinë t’i ndërmarrë veprimet për zbatimin e tij.
MPJD nuk ofron sqarime, Shala nuk lajmërohet
Ministria e Punëve të Jashtme nuk ka ofruar sqarime për bazën ligjore të këtij emërimi, as nëse ky ka qenë favori për Shalën, në këmbim të votës. Por një burim brenda këtij institucioni ka thënë se, ky ka qenë pazari në këmbim të votës për qeverinë.
Mbështetur në informatat e listuara në profilin e tij në “facebook”, Shala është duke ndjekur studimet e doktoratës pikërisht në qytetin, ku u emërua Konsull i Përgjithshëm. Në mesin e punëve të mëhershme në sektorin privat figuron edhe si pronar në firmën “Xhela Shpk” me seli në Malishevë.
Gazeta ka provuar të marrë një qëndrim edhe prej Haxhi Shalës dhe djalit të tij, tani Konsull.
Në numrin e Haxhi Shalës është lajmëruar këshilltari i tij, i cili ka thënë se deputeti është i zënë në takim. Megjithë premtimin se do ta njoftojë me çështjen dhe do të lajmërohen sërish, kjo nuk ka ndodhur.
Presidenca do ta rishqyrtojë dekretin
E, në presidencë që tani udhëhiqet nga ushtruesja e detyrës, Vjosa Osmani kanë thënë se do të shqyrtohet ky emërim nëse janë përfillë procedurat ligjore.
“Të gjitha emërimet do të shqyrtohen për ta parë nëse janë përfillë procedurat ligjore. Asnjë dokument nuk i është sjell deri tash u.d. të Presidentes, dr.Vjosa Osmani nga ana e Ministrisë së Punëve të Jashtme”, ka thënë Bekim Kupina, këshilltar për media i U.D. Presidentes.
Zyra e kryeministrit Hoti nuk kanë treguar specifikisht nëse ndërmarrja Haradinaj-Thaçi ka pasur edhe aprovimin e tyre. Drejtorja e Zyrës për Informim, Antigona Baxhaku ka thënë se aktualisht po bëhet rishikimi funksional i stafit diplomatik.
“Aktualisht është duke u bërë rishikimi funksional i gjithë stafit diplomatik dhe në momentin që të përfundoj ky proces, Zyra e Kryeministrit do të dërgoj propozimet konkrete në Zyrën e Presidentit”, ka theksuar ajo.
Kriteret
Kriteret e përgjithshme për përzgjedhjen e ambasadorëve dhe konsujve si dhe shefave të tjerë të misioneve rregullohen me Ligjin për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Shërbimin Diplomatik dhe me aktet nënligjore në zbatim të tij.
Mes tjerash anëtarët e personelit të shërbimit të jashtëm duhet t’i plotësojnë kërkesat si në vijim:
“2.6. kanë përgatitje të duhur profesionale; 2.8. kanë kaluar provimin pranues të organizuar në bazë të proceduarve të përcaktuara me akt nënligjor të Ministrisë së Punëve të Jashtme”.
Avancimi i nëpunësve të shërbimit të jashtëm bëhet duke u mbështetur në sistemin e gradimit.
Elementet kryesorë në dhënien e një grade për anëtarin e shërbimit të jashtëm janë koha e
shërbimit, kualifikimi dhe vlerësimi i rezultateve të punës.
“2. Përveç gradës ambasador, gradat jepen nga Komisioni i Gradave dhe i Disiplinës, mbi bazën
e të dhënave që ndodhen në dosjen personale të çdo punonjësi dhe në bazë të vlerësimeve të
bëra, sipas kritereve dhe rregullave të përcaktuara në Rregulloren për Shërbimin e Jashtëm”, thotë ligji për shërbimin e jashtëm.
Vota e Shalës në kushtetuese
Ngritja e dorës së Shalës ka qenë vendimtare për krijimin e qeverisë Hoti, e cila arriti vetëm minimumin e kërkuar prej 61 votash. Një ditë para seancës Shala kishte deklaruar se nuk e voton qeverinë Hoti. Por, mendjen e ndërroi pas mesnatës së 3 qershorit, kur në konak i kishin shkuar presidenti Thaçi e ish-kryeministri, Ramush Haradinaj.
“Jemi dëshmitarë të shumë ngjarjeve dhe sidomos deri sot në votimin e qeverisë së re. Para dy dite kam deklaruar se nuk do ta votojë qeverinë Hoti për shkak të politizimit të partisë nga dy persona. Por mbrëmë, nga vizita që kam pasur nga presidenti dhe ish-kryeministri Haradinaj, unë do të votoj pro Qeverisë Hoti”, kishte deklaruar Shala më 3 qershor.
Por vota e tij ka përfunduar në Gjykatën Kushtetuese pasi Lëvizja Vetëvendosje ka kërkuar interpretim të veprimeve të presidentit Thaçi, për siç thuhet detyrimin e Shalës që ta ndryshojë votën ndaj qeverisë. Kushtetuesja ende nuk e ka dhënë verdiktin për këtë rast.