Kryetari i Komunës së Pejës, Gazmend Muhaxheri, ka reaguar pas djegies së balonës ‘Mirë se vini në Pejë’.
Përmes një postimi në rrjetin social Facebook, Muhaxheri ka thënë se kjo ngjarje e trishtoi tmerrësisht shumë,shkruan Telegramisot.
Ai ka thënë se euforia e reagimeve ishte e tepërt lidhur me ngjyrat e balonës, për të cilat pati pretendime se i përkasin ish-Jugosllavisë.
Muhaxheri ka thënë se balona ishte dhuratë nga një pilot francez, i cili në shenjë mirënjohje e ka instaluar vetë në hyrje të qytetit, duke mos e pasur idenë se veprimi i tij me qëllim të mirë do të keqkuptohej.
Ky është postimi i tij i plotë:
Ngjarja e ditës së djeshme më trishtoi tmerrësisht! Duke parë reagimet e shumta, e dija se çdo arsyetim do të keqkuptohej dhe nuk do të gjente mbështetjen e një pjese të opinionit. Euforia e reagimeve ishte e jashtëzakonshme, ndoshta më tepër sesa duhej! Më e keqja e gjithë kësaj ishte se askush nuk kërkonte arsye: pse u vendos, kush e vendosi, dhe pse pikërisht këto ngjyra?
Balona e cila u vendos dje me mbishkrimin: “Komuna e Pejës, Mirë Se Vini” ishte një simbolikë e dhuruar nga piloti francez, kampion në aeronautizëm, z. Guy Cinquin. Ai e solli balonën me ajër të nxehtë të cilën tashmë shumica e keni parë në qiell. Pas kthimit në Francë, z. Cinquin e ka promovuar jashtëzakonisht mirë Pejën por edhe kulturën tonë në mediat e atjeshme.
Ai u rikthye prapë në Pejë për të realizuar fluturime të tjera, dhe në shenjë mirënjohje e ka sjellur balonën e cila u vendos dje në hyrje të qytetit, madje atë e ka instaluar personalisht, duke mos e pasur idenë se veprimi i tij me qëllim të mirë, do të keqkuptohej!
Për fund – a është dashur të lejohet vendosja e kësaj balone me ngjyrat e flamurit francez, holandez apo siç pretendohej jugosllav – kronologjia e ngjarjes e paraqitur më lartë pasqyron qëllimin e vetëm të këtij instalacioni, të cilin tani në qetësi secili mund ta vlerësoj.